
Del Piero analizon derbin e Italisë, kritikon Juventusin dhe lavdëron Milanin
Alessandro Del Piero ka dhënë analizën e tij për barazimin 0-0 midis Juventusit dhe Milanit, duke theksuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative në paraqitjen e dy skuadrave.
Për ish-kapitenin e Juventusit, pika e fituar nga bardhezinjtë është pozitive, por ngre shumë pyetje në lidhje me efikasitetin e sulmit:
“Juventusi fitoi një pikë, por Milani humbi një mundësi. Ata patën një penallti dhe të paktën dy raste të mëdha. Të fitosh ndeshje si kjo dërgon një mesazh të rëndësishëm, si për veten tënde ashtu edhe për kundërshtarët e tu”, tha Del Piero.
Del Piero foli më pas për vështirësitë e Juventusit në fazën sulmuese, duke vënë në dukje mungesën e një lojtari që bën diferencën përpara.
“Për momentin, nuk ka një lojtar që është vërtet i aftë të bëjë diferencën në sulm. Ata që kanë qenë titullarë shpesh kanë pasur vështirësi, ndërsa Vlahovic ka performuar më mirë duke hyrë nga stoli”.