Delawie: Kosovën e presin tema serioze

03 janar 2018 | 13:38

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës (ShBA), Greg Delawie, ka porositur liderët e institucioneve të Kosovës që, pas ndërrimit të moteve, t’i përvishen punës dhe të merren me çështjet serioze që ka Kosova para vetes, si demarkacioni me Malin e Zi, luftimi i korrupsionit, miratimi i Ligjit për Liritë Fetare dhe dekretimi i politikave që do ta mundësojnë rritjen ekonomike të Kosovës.

Delawie në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka folur edhe për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Një përpjekje e tillë, sipas ambasadorit amerikan, do të shkaktonte pasoja të thella dhe specifike për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara.

Duke folur për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, Delawie ka theksuar se Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë. Ai thotë se ShBA-ja e mbështet këtë të drejtë të Kosovës.

Ambasadori amerikan shpreson se në vitin 2018 do të miratohet versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi.

“Kosova nuk humbet tokë sipas kësaj marrëveshjeje. Kjo çështje e ka mbajtur peng Kosovën tashmë më shumë se dy vjet. Shumë njerëz e kanë shfrytëzuar atë për qëllimet politike. Kjo dëmton besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe ndikon negativisht te qytetarët”, ka thënë Delawie.

Ai ka pohuar se Kosova ka arritur progres për këta dhjetë vjet të ekzistimit si shtet.

I pyetur për performancën e Qverisë së udhëhequr nga Haradinaj, ambasadori Delawie ka thënë se roli i tij në Kosovë nuk është ta notojë performancën e qeverive, por ka dhënë një vlerësim. “Kohët e fundit po shoh energji pozitive nga qeveria”, është shprehur Delawie.

“Epoka e re”: Z. Ambasador Delawie, si po e përmbyll Kosova këtë vit dhe ju si ambasador?
Delawie: Si shumë njerëz në Kosovë, edhe unë do t’i kaloj festat e fundvitit me familje. Përderisa e kujtoj këtë vit për Kosovën, e pres me padurim përvjetorin e dhjetë të pavarësisë që do ta festojmë së shpejti në 2018-n. Nuk kam se si të mos mahnitem se sa shumë ka ecur Kosova përpara. Shpresoj se përderisa zyrtarët e Kosovës të kthehen të freskët në Vitin e Ri, ata do t’i përvishen punës sa më parë që është e mundshme, për t’u marrë me disa prej çështjeve më serioze të Kosovës si me miratimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, luftimin e korrupsionit, miratimin e Ligjit për Liritë Fetare dhe dekretimin e politikave që do ta mundësojnë rritjen ekonomike të Kosovës.

“Epoka e re”: Në dhjetor pamë një iniciativë të disa deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ka ndryshuar qëndrimi i ShBA-së nga ajo që kemi dëgjuar nga ju më herët?
Delawie: Para së gjithash, më duhet të them se isha i indinjuar nga përpjekja e së premtes (22 dhjetor) për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Shtetet e Bashkuara nuk e përkrahin këtë apo çfarëdo përpjekje tjetër për minimin e bashkëpunimit me Gjykatën Speciale që është thelbësore për të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe ta tregojë gatishmërinë e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Ky proces u udhëhoq nga disa individë. Ishte e qartë se u ndërmor në fshehtësi në mënyrë që t’i iket shqyrtimit të kujdesshëm nga opinioni i Kosovës dhe miqtë e saj në bashkësinë ndërkombëtare. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer në ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre për t’i promovuar interesat personale të tyre. Ata që qëndrojnë pas kësaj iniciative ne do t’i shohim si bashkëfajtorë në çfarëdo tentimi të mëtutjeshëm për të shfuqizuar apo ndryshuar ligjin, apo për ta minuar përkushtimin e Kosovës ndaj Gjykatës në çfarëdo mënyre. Çfarëdo përpjekje e tillë do të shkaktonte pasoja të thella dhe specifike për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara.

“Epoka e re”: Në këtë vit Kosova ka organizuar zgjedhjet nacionale dhe lokale. Jeni i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor?
Delawie: Kosova i ka mbajtur tri palë zgjedhje profesionale, të drejta dhe të besueshme këtë vit, me vetëm disa parregullsi të vogla. Kjo është e arritur e madhe dhe dëshiroj t’i përgëzoj jo vetëm ata që kanë punuar në ato zgjedhje, por të gjithë që në mënyrë të qëndrueshme i kanë kontribuar demokratizimit të Kosovës prej mbajtjes së zgjedhjeve të para shumë vite më parë. Nuk ka asnjë vend tjetër vetëm dhjetë vjet ku performanca e zgjedhjeve është kaq e fuqishme. Megjithatë, do të theksoj se në komunat me shumicë serbe ka pasur raste të besueshme të kërcënimit dhe dhunës para zgjedhjeve, gjë që ndikoi në gatishmërinë e kandidatëve për të qëndruar në garë. Ndërhyrja e huaj ishte e pamohueshme dhe pati ndikim negativ në të drejtat demokratike të qytetarëve që jetojnë në ato zona. Këta qytetarë meritonin garë zgjedhore si çdokush tjetër në Kosovë; pothuajse 30 vjet pas rënies së murit të Berlinit, nuk do të duhej të shohim zgjedhje me vetëm një kandidat në Kosovë. Misioni vëzhgues i BE-së bëri punë të mirë në dokumentimin e këtyre problemeve.

“Epoka e re”: Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka mbushur 100 ditë të punës. Si do ta vlerësoni punën e qeverisë për këtë periudhë?
Delawie: Roli im në Kosovë nuk është ta notoj performancën e qeverive. Mund të them se kohët e fundit po shoh energji pozitive nga qeveria. Qeveria ka vendosur tonin për gjithëpërfshirje, gjë që e mirëpres prej zbatimit të suksesshëm të integrimit të gjyqësorit në tetor, tek angazhimi më i madh i pakicave në takime e deri të ndërmarrja e hapave për t’u këshilluar dhe angazhuar me komunitetin e serbëve të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë. Është me rëndësi që qeveria të punojë në agjendën e reformës evropiane, e cila është thelbësore për të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Kosova duhet t’u demonstrojë aleatëve ndërkombëtarë se mund t’i kryejë punët, përfshirë edhe marrjen e vendimeve të vështira, që janë pozitive për qytetarët e Kosovës dhe për ta çuar vendin përpara. Shënimi i kufirit është shembull parësor.

“Epoka e re”: Gjatë këtij 100-ditëshi Qeveria e Kosovës dhe kompania amerikane “Contour Global” kanë arritur marrëveshje për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Çfarë ndikimi do të ketë kjo marrëveshje në zhvillimin ekonomik të Kosovës?
Delawie: Ky projekt do të mundësojë siguri energjetike, mungesa e së cilës ka qenë pengesë shumë e madhe për rritjen ekonomike. Përveç kësaj, shumë prej jush e keni parë nga monitoruesi i cilësisë së ajrit, në uebfaqen e ambasadës sonë, që ka shumë ditë kur cilësia e ajrit është e rrezikshme për t’u thithur për shkak të ndotjes. “Kosova e Re” do të ndërtohet me standardet më të larta të Evropës sa i përket cilësisë së ajrit dhe do të jetë përmirësim shumë i madh nga aspekti mjedisor në krahasim me TC “Kosova A”. Po ashtu, “Kosova e Re” do të jetë investimi më i madh privat në historinë e Kosovës. Përveç përfitimeve të tjera të menjëhershme që do t’i sjellë ky projekt, trajtimi i mirë i tij do të jetë indikator i jashtëzakonshëm se Kosova është e gatshme për më shumë investime private nga pjesa tjetër e botës.

“Epoka e re”: Z. Ambasador, Qeveria e Kosovës e ka përcjellë për në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, por nuk është e sigurt nëse në Kuvend janë votat për ta ratifikuar këtë marrëveshje. Si duhet të veprojnë deputetët në këtë rast?
Delawie: Deputetët duhet ta ratifikojnë marrëveshjen për shënimin e kufirit që është nënshkruar në vitin 2015. Është ujdia e duhur, siç është verifikuar edhe nga Qeveria e ShBA-ve dhe ekspertët e tjerë ndërkombëtarë. Kosova nuk humbet tokë sipas kësaj marrëveshjeje. Kjo çështje e ka mbajtur peng Kosovën tashmë më shumë se dy vjet. Shumë njerëz e kanë shfrytëzuar atë për qëllimet politike. Kjo dëmton besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe ndikon negativisht te qytetarët. Tashmë ka kaluar koha që vëmendja e qeverisë të kthehet kah çështjet e tjera si korrupsioni dhe zhvillimi ekonomik. Shpresoj se në vitin 2018 do ta shohim miratimin e shpejtë të marrëveshjes për shënimin e kufirit.

“Epoka e re”: Kundër kësaj marrëveshjeje është shprehur edhe kryeministri aktual, Haradinaj. Çfarë pasoja mund të ketë Kosova nëse nuk e ratifikon këtë marrëveshje. A ka rrezik që raportet e shtetit të Kosovës me ShBA-në dhe partnerët e tjerë perëndimorë të dëmtohen me mosratifikimin e kësaj marrëveshjeje?
Delawie: BE-ja ka qenë shumë e qartë se liberalizimi i vizave varet nga miratimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit. Pasoja më serioze dhe më e menjëhershme e moskalimit të saj është vazhdimi i izolimit për qytetarët kosovarë dhe pamundësia e udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, mendoj se nuk dërgon sinjal të mirë tek aleatët dhe partnerët e Kosovës nëse qeveria nuk mund ta finalizojë një marrëveshje ndërkombëtare kaq të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, madje as pas dy vjet debati për të. Shtetet e përgjegjshme duhet të marrin vendime të vështira, të gjejnë mënyra për kompromis, pastaj t’i zbatojnë ato. Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen ekzistuese sa më shpejt që është e mundur dhe të kalojë te çështjet e tjera.

“Epoka e re”: Liderët shtetërorë dhe partiakë të Kosovës janë duke e quajtur të padrejtë demarkacionin si kusht për liberalizimin e vizave. Çfarë mendimi keni ju?
Delawie: Si ambasador i ShBA-së nuk është detyra imja t’i caktojë politikat për BE-në dhe të pajtohem apo jo me to. Jam këtu për t’i trajtuar politikat e ShBA-së në Kosovë. Megjithatë, ajo që mund të them është se, nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, atëherë duhet t’iu përmbaheni rregullave të atij klubi. Po e zhvendosni energjinë tuaj dhe po humbni kohë duke argumentuar për rregullat në vend se t’i përmbushni kërkesat dhe ta fitoni anëtarësimin.

“Epoka e re”: Ambasador, një ndër problemet kryesore me të cilat përballet shoqëria e Kosovës është korrupsioni. Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës që të luftohet sa më efektshëm ky fenomen?
Delawie: Qeveria e Kosovës e ka një agjendë legjislative ambicioze që do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit. Reformat nga Ministria e Drejtësisë po ecin përpara, por për to do të nevojitet mbështetje ndërpartiake në Kuvend. Për shembull, miratimi i Ligjit për prokurorin disiplinor do të jetë thelbësor. Ky do të jetë hap kritik përpara për forcimin e kontrollit të pushtetit të dyanshëm dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Reformimi i Kodit penal është prioritet tjetër jetik në të ardhmen e afërt. Reforma e prokurimit publik paraqet një hap tjetër jetik për trajtimin e korrupsionit. Korrupsioni në këtë fushë ka pasoja të gjëra në pengimin e investimeve ekonomike, ofrimin e shërbimeve lokale, në qasjen në kujdes shëndetësor dhe arsim. Do të dëshironim ta shihnim zbatimin e plotë të prokurimit elektronik nga ana e qeverisë deri në fund të janarit 2018. Masat si prokurimi elektronik ua bëjnë më të vështirë zyrtarëve për të vepruar në mënyrë korruptive. Ndryshimet ligjore do t’ua bëjnë më të lehtë institucioneve të sundimit të ligjit që të merren me rastet e korrupsionit kur të ndodhin. Trajtimi me efikasitet i kësaj çështjeje do të kërkojë të dyja llojet e masave.

“Epoka e re”: Krahas rrezikut nga korrupsioni si faktor i brendshëm, mund të ketë rrezik Kosova nga faktorët e jashtëm?
Delawie: Një çështje brengosëse vjen nga “lajmet e rrejshme” ose metodat e tjera të manipulimit të informatave ashtu që qytetarët nuk mund të besojnë çfarë lexojnë. Kjo është diçka me të cilën po merret e tërë bota, jo vetëm Kosova. Krijimi i lajmeve të rrejshme është i papërgjegjshëm dhe dëmton demokracinë. Por, përderisa të ekzistojnë lajmet e rrejshme, i nxis të gjithë të jenë lexues të vëmendshëm, të shtrojnë pyetje për motivet që qëndrojnë prapa gjërave që i lexojmë dhe, nëse kemi pyetje, të kërkojmë burime të besueshme të lajmeve e jo vetëm të bëjmë ‘klikime’ të lehta në internet.

“Epoka e re”: Jeni dëshmitarë se tash e disa vjet FSK-ja ka plotësuar standardet për t’u transformuar në Forca të Armatosura, por kjo nuk po ndodh për shkaqe politike. Deri kur kjo forcë duhet të mbetet peng i “vetos” së deputetëve serbë në Kuvend, dhe cili do të jetë kontributi i ShBA-së për transformimin e FSK-së?
Delawie: Si shtet sovran Kosova ka të drejtë të ketë ushtri. Qeveria e ShBA-së e mbështet këtë të drejtë. Por, kjo duhet të bëhet ligjërisht, në mënyrë të tillë që do t’i merrte parasysh shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Asnjë entitet nuk ka të drejtë vetoje për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ndryshimi kushtetues do të ishte mënyra e cila më së shumti ka gjasa të sigurojë që të gjithë qytetarët e Kosovës marrin pjesë në proces. E përgëzoj qeverinë për hapat e ndërmarrë për ta shpjeguar më mirë se çka do të thotë transformimi i FSK-së për çdo komunitet në Kosovë. Shpresoj kjo gjë do të vazhdojë edhe në vitin 2018. Ne po e mbështesim Kosovën në këtë proces tani dhe do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë.

“Epoka e re”: Mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës?
Delawie: Uroj popullin e Kosovës për të arriturat e jashtëzakonshme gjatë dhjetë vjetëve të shkuara. Kemi rrugë të gjatë përpara nesh, por jam i bindur se kosovarët e kanë përkushtimin dhe këmbëngulësinë për të arritur sukses në të gjitha ambiciet e tyre evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e deputetëve…