
Delegacioni i AKB-së, vizitë zyrtare në Kinë me ftesë të autoriteteve të larta ekonomike
Me ftesë zyrtare nga autoritetet e larta ekonomike të Republikës Popullore të Kinës, një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i udhëhequr nga kryetari Agim Shahini, po qëndron për vizitë zyrtare në Kinë. Gjatë qëndrimit në këtë shtet me zhvillim të fuqishëm ekonomik, delegacioni i AKB-së pati mundësinë të vizitojë disa prej fabrikave dhe bizneseve më të suksesshme kineze, ku u mbajtën takime me përfaqësues të lartë institucionalë dhe ekonomikë.
Në kuadër të kësaj vizite janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet kompanive kineze dhe partnerëve nga Ballkani Perëndimor, me fokus në investime, transferim të teknologjisë dhe zgjerim të bashkëpunimit ekonomik në rajon. Këto marrëveshje u nënshkruan në praninë e delegacionit të AKB-së, duke dëshmuar rëndësinë strategjike që Kina i kushton rajonit tonë.
Së shpejti pritet të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe institucioneve ekonomike kineze, që synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nxitjen e investimeve kineze në Kosovë dhe mbështetjen për bizneset e Kosovës që duan të hyjnë në tregun kinez.
Delegacioni ishte i përbërë edhe nga afaristët Shkëlzen Jusaj, Feriz Imeri dhe Miftar Kastrati.