Delegacioni i BQK-së në Takimet Pranverore 2026 në Washington DC

13 prill 2026 | 11:55

Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, me pjesëmarrjen e anëtares Joekzekutive të Bordit Latifi-Jashari, Zëvendësguvernatori Fusha, me bashkëpunëtorë, po merr pjesë në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të cilat po mbahen në Washington, DC, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të këtyre takimeve, përfaqësuesit e BQK-së do të zhvillojnë takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore, me fokus në zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare, perspektivën ekonomike në kontekstin e rrethanave aktuale globale, si dhe ndikimet për stabilitetin financiar dhe politikëbërjen.

Gjatë agjendës së Takimeve Pranverore, që zhvillohen nga 13 deri më 18 prill, Guvernatori Ismaili, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, do të paraqesë zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Republikës së Kosovës, prioritetet institucionale të BQK-së, progresin në zbatimin e reformave, rezultatet e arritura përmes programeve të asistencës teknike profesionale, si dhe projektet e ardhshme në funksion të objektivave strategjike të institucionit.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, delegacioni i BQK-së do të zhvillojë gjithashtu takime bilaterale me drejtues të Thesarit Amerikan, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), si dhe me drejtues të bankave qendrore dhe institucioneve financiare partnere, me synim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Delegacioni do të marrë pjesë po ashtu në aktivitete dhe takime bilaterale që organizohen në kuadër të Takimeve Pranverore.

Takimet Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore mbledhin së bashku guvernatorë të bankave qendrore, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhvillimin ekonomik, reduktimin e varfërisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shëndeti, zë vend të veçantë në Programin e Mëngjesit në…