
Delegacioni i BQK-së përfundon me sukses takimet vjetore 2025 të FMN-së dhe BB-së
Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), kryesuar nga guvernatori, Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në Takimet Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimeve, që u zhvilluan nga 13 deri më 18 tetor, guvernatori Ismaili dhe zëvendësguvernatori Cakaj para drejtueseve të FMN-së, BB-së, Thesarit Amerikan si dhe me përfaqësues të bankave qendrore partnere, ka prezantuar zhvillimet kryesore dhe prioritetet në sektorin financiar të Republikës së Kosovës, rezultatet nga zbatimi i programeve dhe asistencave teknike profesionale, si dhe nevojat për mbështetje të mëtejshme teknike.
Guvernatori Ismaili në panelin e FMN-së të nivelit të lartë “Fuqizimi i qëndrueshmërisë se sistemit financiar në kohëra të pasigurive – Ndërtimi i kapaciteteve në vendet në zhvillim dhe në tranzicion”, paraqiti arritjet kryesore të sistemit financiar të Kosovës, kontributin e FMN-së duke përfshirë Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, reformimit të kornizës mbikëqyrëse dhe rregullative, që kanë rezultat me një sistem financiar stabil që mbështet sektorin privat, rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit.
Pjesëmarrja e guvernatorit Ismaili në këtë panel bashkë me drejtues të lartë të FMN dëshmon progresin e vazhdueshëm dhe arritjet konkrete të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, e shfaqur para një audience të gjerë ndërkombëtare në një sesion të transmetuar drejtpërdrejt nga FMN-ja.
I pari i BQK-së në sesionin e mëngjesit te nivelit të lartë “Nxitja e Produktivitetit në Evropë dhe Azinë Qendrore”, gjatë ndërhyrjes së tij në temën “Nxitja e adoptimit të teknologjisë dhe digjitalizimit”, vuri në dukje se popullsia e re dhe sektori dinamik i Teknologjisë Informative dhe Komunikimit në Kosovë ofrojnë potencial të fortë për të nxitur rritjen e produktivitetit.
Nga këndvështrimi i sektorit financiar, guvernatori Ismaili vuri theksin në rëndësinë e transformimit digjital gjithëpërfshirës, përmes investimeve në aftësi digjitale dhe shërbime publike digjitale, për të siguruar që të grupet e popullsisë të përfitojnë në mënyrë të barabartë.
Gjatë takimeve vjetore të mbajtura në Uashington, guvernatori Ismaili mori pjesë në ceremoninë për nënshkrimin e Letrës së Qëllimit për projektin e pagesave të shpejta – TIPS Clone, në kuadër të projektit rajonal për zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta, e cila u nënshkrua ndërmjet Bankës së Italisë, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe bankave qendrore të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ky projekt përfaqëson iniciativën më të rëndësishme infrastrukturore dhe strategjike të BQK-së, duke kontribuar në realizimin e objektivave dhe Planit Strategjik të institucionit.
Në vazhdën e takimeve me guvernatorë të bankave qendrore, delegacioni i BQK-së zhvilloi takim me delegacionin e Bankës Kombëtare Zvicerane (SNB), udhëhequr nga kryetari i Bordit Drejtues, Martin Schlegel, duke e informuar për zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe reformat e tjera të ndërmarra drejt harmonizimit me kornizën ligjore të Bashkimit Evropian. Veçanërisht ai ka informuar mbi progresin e bërë dhe veprimet e ndërmarra nga BQK-ja për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), modernizimin e sistemit të pagesave të shpejta, si dhe prioritetet tjera nga plani strategjik.
Delegacioni i lartë i BQK-së, zhvilloi takim me shefin e Misionit të FMN-së për Kosovën, David Amaglobeli, si dhe me Sebastian Sosa, përfaqësues Rajonal Rezident për Ballkanin Perëndimor në FMN.
Diskutimet u fokusuan në zhvillimet më të fundit ekonomike dhe në reformat në vazhdim në sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë asistencën teknike që FMN-ja po ofron në fusha të ndryshme të mandatit të BQK-së.
Guvernatori Ismaili prezantoi ecurinë e fundit të ekonomisë dhe sektorit financiar, me theks në forcimin e mbikëqyrjes bankare, zhvillimin e mekanizmave të përmbylljes, politikën makroprudenciale, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe reformat e tjera kyçe që janë në proces.
Takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së mbledhin së bashku bankierë qendrorë, ministra të Financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar çështje me rëndësi globale, si perspektivat ekonomike, lufta kundër varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.