
Deliu-Kodra: Betimi i Bërnabiqit, zotim për konflikt
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ashpër për betimin provokues që ka bër4ë mbrëmë kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e po ashtu edhe kabineti i saj.
Teksti i betimit përfshinte fjalë ku përmendej Kosova, e cila cilësohej si krahinë e Serbisë, e po ashtu zotime se “e njëjta do të ruhet”.
Deliu-Kodra me anë të një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se betimi i kryeministres serbe ishte zotim për konflikt dhe jo për paqe, shkruan lajmi.net.
“Në betimin e saj, kryeministrja serbe dëshmoi botërisht se mentaliteti luftënxitës vazhdon ta ushqejë politikën, e për rrjedhojë edhe shoqërinë serbe. Kursi konfliktuoz që Serbia vazhdon ta ndjek, minon të gjitha përpjekjet e sinqerta për t’i dhënë shansin paqes në ndërtimin e marrëdhënieve normale mes dy shteteve tona. Dialogu humb çdo argument, kur pasohet me thirrje që mobilizojnë urrejtjen ndaj palëve në dialog. Betimi i kryeministres serbe ishte zotim për konflikt dhe jo për paqe, prandaj nuk guxon të kalohet pa vërejtjen dhe reagimin e sponsorizuesëve të dialogut”, ka shkruar ajo.