Deliu-Kodra: Ne përkrahim vetëm kandidatin e PDK-së për president

10 dhjetor 2020 | 21:57

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka përsëritur qëndrimin se PDK-ja mund të ofrojë vota për presidentin vetëm nëse është një kandidat i propozuar nga kjo parti për këtë post.

“PDK-ja natyrisht që në radhët e saj ka figura të rëndësishme. Ndonëse kjo çështje është kryekëput e partive në pushtet, atëherë i mbetet koalicionit qeverisës të ofrojë emrin, një dakordësi dhe të ketë qartësi lidhur me pozicionin e presidentit”.

“Janë parti që udhëheqin me institucionet e vendit dhe barra kryesore iu bie atyre. Kur ka ftesa që PDK-ja të votojë për ndonjë kandidat, natyrisht që ne do të bëhemi pjesë e këtij votimi dhe do të përkrahim vetëm kandidaturat që vijnë nga PDK-ja. Është mesazh i qartë I të gjitha organeve, kryesisë dhe lidershipit të PDK-së, sepse ne edhe ashtu po ballafaqohemi me një proces aspak të lehtë. Ndërprerja e mandatit të Hashim Thaçit, për shkak të Gjykatës Speciale, e ka rënduar këtë pozicion. E kuptojmë që Kosova ndodhet në një udhëkryq, për faktin se njëri prej pozicioneve më të rëndësishme të vendit është vakant. Për ne është shumë e rëndësishme që të ketë qartësi dhe ky pozicion të mos mbetet vakant, por t’i japim zgjidhje”.

“Në momentin që kërkohet që ne të votojmë blanco për dikë, natyrisht që ne nuk do ta japim asnjëherë votën tonë si subjekt politik kur ky kandidat nuk do të jetë nga radhët e PDK-së. Kjo çështje kërkon harmonizim të qëndrimeve të partnerëve të koalicionit, pasi për presidentin nevojiten 2/3-at e votave dhe një shumicë e tillë parlamentare nuk mund të arrihet nëse nuk ka konsensus të forcave politike parlamentare rreth kësaj figure që duhet të jetë kredibile dhe që paraqet unitetin e qytetarëve të Kosovës”.

Ajo, në Rubikon të Klan Kosovës, ka deklaruar se çështja e presidentit nuk ndërlidhet aspak me përfshirjen e mundshme të PDK-së në qeveri duke ripërsëritur se PDK-ja do të mbesë në opozitë.

“Çështja e presidentit është komplet çështje e ndarë prej procesit të përfshirjes së PDK-së në qeveri. Do të mbesim në opozitë, sepse është vullnet i gjithë anëtarësisë, kryesisë dhe i të gjitha strukturave dhe nuk duhet të ketë asnjë ndërlidhje mes pozicionit të presidentit dhe përfshirjes së PDK-së në qeveri. Do të mbesim në opozitë ashtu qysh kemi mbetur nga muaji tetor. E kemi qartësuar që do ta respektojmë në plotni vullnetin e qytetarëve që na e kanë përcaktuar në zgjedhjet e 6 tetorit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për situatën me…