
Deliu, Kurtit: A e ke ditur në vitin 2019 që rryma është lirë? Dil këqyri njerëzit që janë tronditur
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë të hënën në seancën e Kuvendit se rryma ka qenë aq e lirë, sa që shumë qytetarë nuk e kanë ditur se sa po paguajnë.
Ajo e ka pyetur Kurtin se a e ka ditur këtë në vitin 2019, kur kishte premtuar se me të në pushtet, çmimi i rrymës do të ulej.
“Tash po e pyes, z. kryeministër se a e ka ditur këtë në vitin 2019 kur në fushatën zgjedhore deklarohej se çmimi i rrymës është i shtrenjtë e premtonte se kur të vijë në pushtet do ta ulte çmimin e energjisë elektrike”, ka thënë ajo, duke shtuar se është skuqur nga deklaratat e Kurtit.
“A turpërohet pak Albin Kurti nga këto deklarata të cilat mua si deputete e disa legjislaturave më bëjnë të skuqem… A ka ma ofendim? Për besë unë sot jam skuqur nga Qeveria”, ka thënë ajo.
Deliu-Kodra e ka ftuar Kurtin që t’i shoh qytetarët, të cilët, sipas saj, janë tronditur nga deklaratat e kryeministrit.
“Dil kryeministër këqyri njerëzit të cilët janë të tronditur nga deklarimet që i ke bërë sot në Kuvend”, është shprehur ajo.