DEMASKIMI SISTEMATIK I BARBARISË

29 prill 2023 | 18:49

Prof. dr. Shyqri GALICA

Romani “Eskadronët e vdekjes” (“Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”, Prishtinë, 2021) i autorit Bardhyl Mahmuti është një vepër e veçantë edhe si krijim letrar-artistik, edhe si histori, është i veçantë në të vërtetë se “historia” krijoi gjenocid, të cilin mbase më mirë se asnjë tjetër deri sot arriti ta paraqesë nëpërmjet penës së tij autori i kësaj vepre.

Pavarësisht nga ndihma që pretendon autori ta ketë pasur nga shumë veta, prirja e tij në aspektin stilistik letrar e performues historik është fakt që tregon jo vetëm përkushtimin e shkrimtarit, por talentin për ta artikuluar me një gjuhë të pasur, me një mendim të mprehtë e me një kërkesë të sofistikuar për ndriçimin e Luftës së UÇK-së dhe barbarinë serbe. Pikërisht mënyra nga i qaset luftës për liri dhe veprimeve barbare, që duken herë parësore e herë-herë nëpër rrjedha, por në një mënyrë ndihen tejetej veprës, gërsheton tërë spektrin artistik të veprës duke u thelluar secilën herë në ngjarjet reale dhe në qëndresën vendimtare, pa të cilat asnjëherë nuk do të fitohej liria.

Apetitet e Serbisë pushtuese gjenocidale

Personazhe të rëndësishme në këtë roman janë disa, por ata që bëhen shkas i ndriçimit të realiteti historik janë deklaruesit para hetuesve kriminelë serbë, që detyrojnë të rrëfehet personazhi kryesor, Mifi L. Nga i pari tek i fundit, që përmenden e që merren eventualisht me mend, janë kositës të jetëve bashkë me bandat kriminale të pushtetit të Milosheviqit.

Këto figura i ka njëjtësuar autori duke i latuar me aq përkushtim, saqë të duket se me secilin është marrë kohë të gjatë, duke parë mendimet, pikëpamjet e veprimet e tyre nga njëri në këndin tjetër; duke mishëruar e bashkëjetuar me Luftëtarin e lirisë, me viktimën dhe me kriminelin; duke u futur thellë në psikologjinë e tyre, në botën bizare, por dhe në atë heroike pa humbur asnjëherë toruan për të mbijetuar dhe për të luftuar deri në fitore.

Në të vërtetë, ai zhvesh kriminelin dhe nxjerr qëllimin e tij në një aspekt më të thellë e më të gjerë, faktikisht e fokuson deri në dimensionin kombëtar të tij si synim për të përmbushur apetitet e Serbisë pushtuese gjenocidale deri në shfarosje të njeriut pa marrë parasysh moshën e gjininë.

Rrëfimi del spontan në tërë kompleksin romanor. Spontane janë edhe të dhënat e masakrave që janë bërë nëpër vise të ndryshme të Kosovës, të Bosnjës e të Kroacisë. Prandaj, si prozë dokumentare, madje si një kronikë që në fakt është treguese e historisë dhe që sot është më e preferuara dhe më e lexuara në botë, stigmatizon barbarinë serbe, madje në këtë rast nëpërmjet “gojës” së një gazetari serb dhe shqiptarëve të burgosur, të atyre që kanë përjetuar aktet monstruoze të pushtuesit, kështu që ligjërimi del këtu më funksional dhe më i fuqishëm në konceptin referues e argumentues.


Është gazetari serb nga Kraleva, Mifi L., gazetar i gazetës “Danas” të Beogradit, një personazh karakteristik, një njohës i rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, që duke botuar ca shkrime në shtypin anglez për veprimet makabre sipas rrëfimeve të disa ushtarëve serbë në Kosovë e në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, do të trajtohet nga UDB-a si një spiun që po propagandonte kundër shtetit të tij, Serbisë. Është një figurë qendrore, i cili do të bartë rrëfimin me shumë kompetencë, duke treguar situatat më të tmerrshme deri në përpjekjet për asgjësimin e tij fizik, duke iu rrëfyer udbashëve për ngjarjet tragjike dhe për veprimet çnjerëzore që i kanë bërë “beretat e kuqe” dhe jo vetëm ato.

Autori me shumë mjeshtëri gjen mënyrën për të rrëfyer situatat nga njëra në masakrën tjetër, nga njëra në betejën tjetër. Ngjarjet i zë në formë kronike, por janë faktet në të vërtetë që zënë vend të veçantë, kurse trajtimi është letrar, është një penë që depërton aq thellë në psikologjinë e personazheve, në botën e tyre vetjake, duke stigmatizuar të veçantat e tyre, që në një sintezë artistike dalin kuptimplote si një kujtesë krijuese, që e bën autorin t’i qaset mëvetësishëm artit të tregimtarisë. Në të vërtetë, në roman paraqitet qartë nëpërmjet rrëfimit brilant mekanizmi vrasës i luftës, eskadronët e vdekjes, “beretat e kuqe” etj., që depërtojnë me tërë mekanizmin e tyre dhe me kërkesën e shtetit të kriminelit Milosheviq dhe të strukturave të tjera pushtetore, të cilat romancieri pa hezitim i jep me emër e mbiemër, funksionet e tyre dhe veprimet çnjerëzore.

Në rrjedhë të rrëfimit jepet edhe drama që zhvillohet në familjen e Mifit nga arrestimi deri në çastet e fundit kur në një mënyrë demaskohet propaganda dhe veprimi i xhelatëve, duke sheshuar veprimet terroriste të një ushtrie me një mekanizëm vrasës të luftës e të bandave kriminele dhe me porosi për të bërë të pabërën ndaj shqiptarëve të pafajshëm, të cilët, pos lirisë, nuk do të kërkonin tjetër. Këtë strukturë bindshëm e ka paraqitur autori duke u mbështetur në fakte e të dhëna, madje edhe nga goja e atyre që kanë përjetuar masakrat siç është rasti i Sadikut për masakrën në Burgun e Dubravës, kur do t’i sillnin të burgosurit shqiptarë nga burgjet e Serbisë në këtë vendvdekje. Autori diskrediton me këtë rast mashtrimet dhe opinionet e krijuara se gjoja NATO-ja po vriste popullatën shqiptare me avionët e saj, që në të vërtetë ishin “Migët” serbë që gjenin shtigje për të bombarduar madje edhe Burgun e Dubravës, duke vrarë e plagosur qindra veta, duke bërë masakër të vërtetë edhe nga milicët serbë, që aty ishin roje.

Bota e shthurur psikike e psikologjike e një strukture monstruoze

Situatat dhe lëvizjet në burgjet serbe autori Mahmuti i sheshon me tërë barbarinë e tyre, duke krijuar atmosferë tipike të botës së shthurur psikike e psikologjike të një strukture të ndërtuar për të bërë krime monstruoze e dënime drakoniane, për të shërbyer dhe si shembuj që ndryshojnë dhe anatominë e psikikën e njeriut. Është frika që përhapet gjithandej Serbisë dhe njerëzve që nuk pajtohen me krimet që vazhdonin të bënin eskadronët mizorë të vdekjes si në Kroaci, në Bosnjë e në Kosovë…

Pa asnjë dyshim forma letrare është mënyra më e mirë për të demaskuar të keqen, për të shpërfaqur gjithë urrejtjen barbare, që do të shërbejë gjithsesi si model i së keqes nëpër histori, një dimension anakronik i kohëve moderne për të pushtuar vendet e papushtuara dhe për të robëruar e masakruar banorët e pafajshëm. Në këtë kontekst, do të citonim Herodotin, i cili theksonte se dhembja e madhe kalon vetëm me anë të çlirimit.

Prandaj, romancieri Bardhyl Mahmuti është mjeshtër i rrallë i rrëfimit, i cili me mprehtësinë e tij intelektuale, shkrimore e atdhetare, me përkushtimin e veçantë për ta sheshuar synimin kriminal serb, pa dyshim, sjell një mesazh human për botën e qytetëruar që të dënojë krimet e këtilla, të cilat bota e vërtetë demokratike i dënon dhe i sanksionon me masa të rrepta! Ai arrin ta demaskojë gjenocidin e vërtetë me fakte, me të dhëna të sakta nëpërmjet krijimit artistik e dokumentar, që sot, siç theksuam më lart, proza e dokumentare është më e preferuara e më e lexuara në botë.

Ndërkaq, kjo është dhe një pasqyrë e realitetit serb që u mposht nga luftërat e drejta të popujve të Ballkanit dhe nga lufta e pakompromis e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetëm një penë e mprehtë dhe një mendje e ndritur ia ka dalë që në mënyrë sistematike të na japë një vepër të fuqishme, që stigmatizon gjenocidin, të keqen më të madhe njerëzore, që në situata të këtilla detyron masën e gjerë që të mobilizohet për ta luftuar me të gjitha mjetet agresorin deri në liri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Prishtina e deri në Tiranë krejt çfarë mendoja ishte…