“Demokracia jonë po testohet”, ish-ambasadori Gashi thirrje për dialog: Kosova ka nevojë për zgjidhje, jo teatër politik
Ish-ambasador i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend duke thënë mes tjerash, se ‘’është qenësore ta kujtojmë fuqinë dhe rëndësinë e dialogut dhe të kompromisit politik’’.
Gashi në postimin e tij ka vlerësuar si shqetësuese mundësinë që bllokada politike të vazhdojë edhe për një periudhë tjetër, dhe se, demokracia e Kosovës po testohet.
“Dhe lidershipi i vërtetë qëndron pikërisht në aftësinë për t’i bërë këto interesa të konvergjojnë, qoftë për njerëzit që besojnë në më shumë ndërhyrje të qeverisë apo për ata që besojnë se duhet të kenë më shumë liri nga qeveria, për ata që punojnë në sektorin privat dhe për ata në sektorin publik, për të moshuarit dhe për të rinjtë, për ata që jetojnë në fshatra dhe për ata në qytete, për ata që jetojnë brenda vendit dhe për ata që jetojnë jashtë tij, për të gjithë qytetarët e Kosovës’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Postimi:
Në këtë kohë të një krize të ripërtërirë dhe të thelluar politike në vendin tonë, është qenësore ta kujtojmë fuqinë dhe rëndësinë e dialogut dhe të kompromisit politik. Zotësia e udhëheqjes politike nuk vjen nga aftësia për t’iu mbetur besnik disa synimeve politike të emrave të përveçëm, por nga përshtatja dhe adresimi i nevojave të vendit. Ato nevoja duhet të jenë gjithmonë bërthama e secilit angazhim publik.
Është jashtëzakonisht shqetësuese që bllokada duket se do të vazhdojë edhe për një periudhë tjetër për vendin tonë. Ne nuk duhet të jemi të angazhuar në teatër politik, por në zgjidhje politike. Guximi politik duhet të jetë udhëheqja jonë, jo hakmarrja politike. Vizioni politik duhet të jetë ai që na prin, jo inatet e vogla politike. Guximi nënkupton respekt për pluralizmin e popullit e vizioni edhe guxim për kompromise.
Demokracia jonë po testohet, por vendosmëria jonë duhet të na bashkojë dhe duhet ta mbrojë demokracinë. Shpesh ndodh që këto ditë të lexohet se kompromisi politik do të thotë domosdoshmërisht një lloj korrupsioni politik. Kjo premisë harron se kur qytetarët votojnë, edhe ata kanë interesa në mendjet e tyre. Dhe kjo është pikërisht mënyra se si duhet të funksionojë demokracia. Por interesat e dikujt nuk janë e vetmja forcë në lojë, ato kufizohen nga interesat e të tjerëve.
Dhe lidershipi i vërtetë qëndron pikërisht në aftësinë për t’i bërë këto interesa të konvergjojnë, qoftë për njerëzit që besojnë në më shumë ndërhyrje të qeverisë apo për ata që besojnë se duhet të kenë më shumë liri nga qeveria, për ata që punojnë në sektorin privat dhe për ata në sektorin publik, për të moshuarit dhe për të rinjtë, për ata që jetojnë në fshatra dhe për ata në qytete, për ata që jetojnë brenda vendit dhe për ata që jetojnë jashtë tij, për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ne nuk po e shohim këtë udhëheqje duke vepruar sot dhe do t’i inkurajoja fuqimisht të gjitha partitë politike që ta rimendojnë edhe një herë atë se për çfarë qëndrojnë dhe çfarë po u propozojnë qytetarëve në një periudhë kritike për vendin dhe në një epokë të brishtë të rendit botëror.



