Demolli: Donjeta Sadiku synon të shpallet kampione në Botërorin e Boksit

03 shtator 2025 | 11:42

Nga 4 deri më 14 shtator në Liverpool të Anglisë do të zhvillohet Kampionati Botëror i Boksit ku do të marrë pjesë edhe Kosova. Në këtë turne, Kosova do të paraqitet me katër garues të kryesuar nga boksierja Donjeta Sadiku si dhe Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku si dhe Loris Idrizi.

Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ka thënë për “KosovaPress” se kjo federatë i ka dhënë shumë rëndësi këtij kampionati dhe se ekipi është përgatitur maksimalisht për të kërkuar rezultate të mira në këtë kampionat.

“Ne i kemi dhënë rëndësi këtij Kampionati Botëror për arsye se është ndër evenimentet më të mëdha për vitin 2025. Para dy javësh e kemi dërguar Donjeta Sadikun në Sheffield të Anglisë në kampin ndërkombëtar ku kanë qenë tetë shtete, kurse djemtë (Shpëtim Bajoku, Bashkim Bajoku dhe Loris Idrizi) kanë qenë në Sofie të Bullgarisë ku po ashtu kanë qenë në kamp ndërkombëtar ku kanë zhvilluar përgatitje të mira për arsye se kanë pasur sparingje, të cilat në Kosovë nuk i kemi me boksierë të nivelit të lartë”, ka deklaruar Demolli. Sa i përket Donjeta Sadikut, Demolli thekson se ajo është e bindur në sukses dhe se pret ta shpallet kampione e botës.

“Donjeta ka qenë në formë të mirë, ka pasur një ftohje për tre apo katër ditësh, por është kaluar ajo dhe është në formën e duhur dhe presim që medaljen e bronztë që ka nga Kampionati Botëror në Turqi ta shndërrojë në Liverpool në medalje të artë dhe besoj dhe shpresoj që Donjeta do të jetë kampione e botës. Kurse, nga djemtë presim që të marrim minimumin një medalje, pa marrë parasysh a është e artë, e argjendtë apo e bronztë”, ka shtuar tutje Demolli, i cili bëri të ditur se edhe në këtë kampionat, ekspedita kosovare ka udhëtuar me disa telashe financiare pasi është dashur që ato të sigurohen përmes huazimeve dhe pastaj ato të kthehen kur Ministria e Sportit t’i lëshojë pagesat e rregullta.

“Ne si gjithnjë deri më sot ia dalim që të huazojmë mjete për të paguar shpenzimet dhe pasi të dalin mjetet nga ministria i kthejmë ato sikur gjithnjë deri më tani për arsye se në këtë federatën e re World Boxing duhet që tre muaj përpara ta paguajmë hotelin, biletat që është një mangësi por besoj që në të ardhmen kjo të përmirësohet sepse tre muaj përpara nuk mund ta paraqesim ekipin kur mundet ndonjë boksier ta pësojë ndonjë lëndim dhe të mos marrë pjesë”, ka bërë të ditur Demolli. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se shorti për luftërat e këtij kampionati do të hidhen sot në ora 16:00 dhe aty Donjeta Sadiku dhe të tjerët do t’i mësojnë rivalët e tyre.

“Varet sa boksiere janë por besoj që Donjeta Sadiku, duhet cekur që është e pesta në ranglistën botërore dhe besoj që do t’i ndajnë në dy grupe boksierët e mira që të mos takohen ne xhiron e parë dhe besoj që ndoshta me short mund ta kalojë vetëm një garë por të dytën nuk mundet për shkak se ka garuese nga e mbarë bota, por besoj që me një short të mirë Donjeta deri në gjysmëfinale apo finale do të jetë kur aty do të takohet me boksierët më të mira të botës”, tha Demolli.

Medalje Demolli ka thënë se pret edhe nga dy vëllezërit Bajoku në këtë kampionat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Eugen Cakolli Përtej problemeve të tjera procedurale, po tentohet…