Demonstratat e ’81-s e bënë publike dhunën e vazhdueshme serbe, Vllasi përpiqet ta shtrembërojë realitetin e asaj kohe

06 gusht 2025 | 12:26

Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me 4 vite burgim (2)

Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me 4 vite burgim, në pjesën e dytë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re” ka folur për hapat e mëtutjeshëm të avancimit të Kosovës në Republikë, për dyshimin e Azem Vllasit rreth kryengritjes popullore të vitit 1981 se kush qëndronte pas iniciativës, organizmit të protestave deri te demonstratat, dhe nëse ato mund të ishin skenar i sigurimit shtetëror ruso-serbe, dhe a e kuptoi perëndimi, sidomos ShBA-ja se Jugosllavisë po i vinte fundi.

“Epoka e re: Po, për fat të keq, problemi i pazgjidhur kombëtar është bartur nga brezi në brez. Si vazhdove më pas?
Hajdin Abazi: Qysh në vitin 1974, kur shumica kremtonin “fitoren”, për mua u bë e qartë se barazia kombëtare në Jugosllavi që trumbetohej gjithandej ishte rrenë, pasi që ne shqiptarët nuk kishim Republikën tonë. Babai im pati thënë se autonomia është veç fasadë! Republika është shtet, thoshte ai. Nga e tërë kjo e kisha kuptuar se ne ishim të shtypur e të pabarabartë. E kisha ndjerë se “nuk ishte kryer puna”, se zgjidhja e ofruar nuk ishte e drejtë dhe se duhej angazhuar për ta ndryshuar atë, në kuptimin për ta përmirësuar, për ta avancuar Kosovën në Republikë.
Është e vërtetë se në shumë aspekte nisi gjendja të përmirësohej, por jo edhe në aspektin themelor – në barazinë e njëmendtë kombëtare brenda Jugosllavisë. Dhe pikërisht këtu fshihej e vërteta. Duke proklamuar barazinë, bëhej e qartë se më shumë se kaq Kosova nuk do të mund të arrinte në Jugosllavi. Kjo donte të thoshte se pabarazia e shtypja kombëtare ishin të sanksionuara për shqiptarët. Pabarazia quhej barazi, dhe këtu ishte thelbi i së keqes. Kjo më kishte bërë të interesohesha e të mësoja më shumë – dhe kësisoj e gjeta rrugën për te lëvizja e rezistencës kombëtare. Për mua ishte e papranueshme gënjeshtra e barazisë që e dëgjoja gjithandej. Irritohesha kur dëgjoja ndonjë të afërm, që kishin lidhje me pushtetin, kur thoshin se “Më mirë nuk kemi qenë kurrë dhe nuk ka ku të shkohet më mirë”; përderisa pjesa e parë referonte te ndryshimi pozitiv e që ishte e vërtetë, pjesa e dytë e fjalisë referonte se e tëra që mund të arrihej – e që nuk ishte aspak e vërtetë. Për mua nuk ishte kështu, madje ishte e kundërta: Kosova kishte ngelur në gjysmë të rrugës, e që nuk quhej fundi pa mbërritur te caku. Këtej rridhte se duhej vazhduar rrugëtimi i rezistencës.
E lehtë për t’u thënë, por shumë e zorshme për t’u bërë. Përderisa nga ajo që kisha dëgjuar muajve të fundit kisha kuptuar se duhej mos me u pajtuar me pabarazinë, ishte krejt e paqartë se si duhej kjo të bëhej dhe këtu kishte aq shumë të panjohura. Nga demonstratat e vitit 1968 unë do të shtroja shumë pyetje duke kërkuar përgjigje, herë duke i gjetur e herë duke mos i gjetur, por kurrë pa u dorëzuar, deri sa në mars të vitit 1973 do të ndërmerrja nismën për të krijuar një grup të organizuar atdhetar (“Shqiponjat e arta”) i cili do të rritej e do ta pagëzonim Organizata Patriotike e Rinisë së Kosovës (OPeRK).

“Epoka e re”: Në këtë kontekst, a ta solli kujtesën pas intervista e Vllasit dhe qasja e tij ndaj asaj periudhe?
Hajdin Abazi: Realisht, po. Sikur ma riktheu atmosferën e shkurt-mars-prillit të vitit 1981, ndonëse asokohe isha i dënuar politikisht dhe e vuaja dënimin në burgun e Mitrovicës së Sremit (1 prill 1981 – 17 nëntor 1983) dhe i përcillja zhvillimet përmes lajmeve në radio e televizion dhe gazetave.
Çudia e zotit, Vllasi, thuaja njëlloj dhe në të njëjtën frymë si asokohe edhe në këtë intervistë në “Pikë” i riaktualizoi insinuatat e regjimit komunist, duke hedhur dyshim për kryengritjen popullore të vitit 1981 se kush qëndronte pas iniciativës, pas organizmit të protestave deri te demonstratat. Mënyra se si fliste për këto ngjarje historike, edhe pas 44 vjetësh, ishte edhe cinike, e edhe etiketuese. Aludohej se dikush i kishte nxitur ato, se shqiptarët kishin rënë në grackën e lojërave të kurdisura të sigurimeve shtetërore ruso-serbe, se ato ia dhanë pretekstin serbomëdhenjve për të mësyrë me revan kundër Kosovës, për ta kthyer pas në gjendjen e para autonomisë.
Nga këto mbeta i befasuar. Është e natyrshme që në kohën kur ndodhin ngjarje e zhvillime, secili mund të ketë qëndrime jo tërësisht të duhura, mbase edhe të njëanshme sipas pozicionimit që mund të kenë lidhur me to. Por edhe pas katër e më shumë dekadave, kur kaq shumë ka të dhëna për rrjedhojat dhe zhvillimet, të mbahen të njëjtat qëndrime dhe një farë apatia, sikur ato ishin shkaktarët kryesor të përkeqësimit të gjendjes – kjo është, për këndvështrimin tim dhe thënë më së buti, mbetje rob i një iluzioni e i një besimi të cilat u thyen, u gjakosën e u dekonstruktuan nga luftërat e tmerrshme që gjithkund i nisi Serbia.
Përderisa mund ta kuptoj në ato vite për një apati të këtillë si pushtetar, tash nuk ka se si të mirëkuptohet – dhe nuk duhet të mirëkuptohet – që ende vazhdon ta ketë të njëjtin mendim edhe sot kur historia i ka dhënë të drejtë jo regjimit komunist të asaj kohe por pikërisht kësaj kryengritjeje popullore paqësore të shkurt-mars-prillit të vitit 1981 e këndej.
Mirë qe, le ta pranojmë tezën e A. Vllasit se Kosova e paske ngacmuar gjarprin dhe ai iu hodh ta kafshonte. Po të tjerët, që nuk kishin protestuar, që nuk kishin kërkuar Republikë, që nuk kishin thirrur t’i japim “vërmak”, që nuk kishin pasur parulla “Lavdi marksizëm-leninizmit” – ç’faj kishin ata: sllovenët, kroatët e boshnjakët, përse iu vërsul atyre? Përgjigja e thjeshtë është: etja serbomadhe për sundim ndaj të tjerëve, gjë që duket se ende nuk është i bindur për këtë A. Vllasi.
Nga ana tjetër, kjo nxjerr në pah përjetimin e asaj klase pushtetare se ishin protestat e demonstratat e vitit 1981 ato që ua prishën rehatinë komunistëve, me privilegje e kushte jetese elitare. Porse ata ishin tjetërsuar aq shumë, sa nuk e shihnin gjendjen reale të qytetarëve, sidomos të mijëra familjeve shqiptare që persekutoheshin; ose më saktë, nuk ju bënte përshtypje aspak gjendja e tyre, po vetëm opsesioni dhe frika se po u humbiste pushteti në radhë të parë nga shpërthimet popullore.

“Epoka e re”: Pra, jo revolta e shqiptarëve në vitin 1981 po politika serbomadhe ishte ajo që po rrëmihte në të vërtetë themelet e federatës jugosllave…
Hajdin Abazi: Absolutisht se po. Drejtimi i gishtit kah revoltat e vitit 1981 të shqiptarëve e krejt pushtetarëve atëherë ishte e gabuar asokohe dhe edhe më e gabuar është pas më shumë se katër dekadash të pohohet e njëjta gjë, sepse shtrembërohen faktet dhe realitetet.Prishja e rehatisë së pushtetarëve komunistë nuk vinte nga populli, nga familjet e përndjekura, por ishte e orkestruar nga shovinizmi serb. Vetë A. Vllasi e përmend “Librin e kaltër” që shovinistët serbë e kishin përpiluar (në vitin 1974 dhe i qe prezantuar Titos) me fakte e të dhëna se ku ishte cenuar Serbia me autonominë e Kosovës dhe se kishin kërkuar t’i shfuqizonin ato, por që Titoja e kishte futur atë libër në sirtar; e serbët ishin pajtuar të prisnin “kohë tjetër” (pasi që Tito ishte plakur dhe dihej se nuk do të rronte dhe shumë; pra, ata e prisnin vdekjen e tij që t’i riaktualizonin kërkesat anti-Kosovë); por ai, në shtjellimin e mëtejshëm, e lë në harresë këtë, kur në të vërtetë duhej të ishte pikënisja për ta kuptuar revanin serbomadh dhe shkakun real të regresit kundër rregullimit federativ e që çoi deri në shpërbërje të saj.
“Libri i kaltër” serbomadh ishte manifest shovinist, i protokoluar dhe që paralajmëronte ofensivat kundër Kosovës e rrjedhimisht edhe kundër rregullimit federativ. Duket se vetë A. Vllasi ende nuk e ka të qartë se ishin idetë e parashtruara shoviniste në atë libër që duheshin fajësuar e jo demonstruesit e vitit 1981. Duket se ende është i ndikuar nga  vitet 1966 – 1979 me “parajsën” autonomiste, por ashtu nuk ishte për mijëra familje shqiptare dhe sidomos për rininë përparimtare e cila po vuante, përndiqej, arrestohej, maltretohej, dënohej me burg pa bërë asnjë krim, privohej nga e drejta e arsimimit dhe punësimit.
Pushtetarët komunistë e kishin menduar se qe mbyllur përgjithmonë shovinizmi i “Librit të kaltër”, populli shqiptar, shtresat e gjera e të shtypura po e ndjenin egërsinë e ringjalljes së tyre. Dhe ata gjetën momentumin e duhur historik që t’u binin kambanave të alarmit; qëllimi i qytetarëve të revoltuar nuk ishte që t’ia prishnin rehatinë askujt, por që të reagonin, të ngrinin zërin dhe të tregonin se serbomëdhenjtë veç ishin hedhur në veprim; para se gjithash, të ngritin zërin për gjendjen e tyre të rëndë, që askush nuk ia kishte gajlen dhe ishin lënë në mëshirën e fatit; madje, dorën në zemër, ishte pushteti i shqiptarëve ai që miratonte dhe ekzekutonte dhunën kundër shqiptarëve, pikërisht në periudhën 1975-1980 e deri në mars të vitit 1989 (kur u suprimua autonominë). Kur pushtetarët e asaj kohe flasin për atë periudhë, e lënë në harresë ose e anashkalojnë këtë veprim të tyre dhe e drejtojnë gishtin te demonstratat e vitit 1981 e pastaj edhe te serbomëdhenjtë: e vërtetë, ata këta ishin “gjarpërinjtë e gjakut” (për t’u shprehur me metaforën e Adem Demaçit), por ama regjimi komunistë ku qeverisnin shqiptarët ishte masha që hidhej në arrestimin e shqiptarëve.
Ajo që duket se A. Vllasi, që shpreh mentalitetin e klasës komuniste të asaj kohe, nuk mund ta kuptojnë dot është fakti se sikur të mos ishte gjendja e padurueshme e shtresave të gjera popullore do të ishte e pamundur të mobilizoheshin, të organizoheshin dhe të përfshiheshin në protesta e demonstrata qindra-mijëra qytetarë në vitin 1981; të mos e kuptosh këtë as tash pas më tepër se katër dekadash, është më tepër se miopi politike, është verbëri ideologjike edhe pse tashmë do të duhej të ishte e qartë se ajo ideologji ishte e rreme dhe mashtruese.

“Epoka e re”: A domethënë kjo se nuk ishte sigurimi shtetëror ruso-serb ai që nxiti protestat në Kosovë; tezë kjo që është përfolur shumë dhe që e la të hapur si mundësi edhe A. Vllasi?
Hajdin Abazi: Sigurisht, se çfarë mund të kenë inskenuar e përgatitur ato rrjete sigurimesh, ende nuk ka të dhëna. Por ka një logjikë në raste të tilla, e ajo është të mbahet nën kontroll, të dirigjohet e të bëhen sinkronizime. Kur bëhen skenarë të tillë merren dhe masa që të mos ju del situata jashtë dore. Kështu, fjala vjen, ka ndodhur me atë Këshillin serbo-malazez me qendër në Fushë – Kosovë, i cili tërësisht dhe çdo veprim e bënte, hapur e fshehur, i koordinuara me nivelet e larta të Serbisë. Kosova dhe shqiptarët absolutisht nuk ishin nën ndikim e rrjeteve të tilla të sigurimeve antishqiptare.
Por, për të qenë real dhe për ta analizuar me objektivitet, le të supozojmë, se skenari ruso-serb ishte i vërtetë. Ani se po kaq i vërtetë, në aspektin hipotetik, mund të jetë edhe skenari amerikan, për të krijuar predispozitat që Ballkani të futej në zonën e interesit perëndimor. Madje, Beogradi nxitoi t’ia atribuonte Shqipërisë së asaj kohe skenarin e trazirave, për shkak se Tirana zyrtare menjëherë doli në përkrahje të protestuesve dhe kërkesës për Republikë. Po ashtu, Beogradi e akuzoi “irridenten” me të cilën quhej lëvizja e rezistencës kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

“Epoka e re”: Atëherë kush, pra i inicioi: sigurimi shtetëror ruso-serb, Shqipëria,  lëvizja e rezistencës e Kosovës?
Hajdin Abazi: Le të supozohet se protestat e shkurt-mars-prillit 1981 nuk ishin autoktone, pra nuk buronin nga gjendja e vërtetë e shqiptarëve të persekutuar, po se ishin skenarë të jashtëm. Shtrohet pyetja, a funksionojnë skenarët e tillë gjithherë? Përvojat e ndryshme tregojnë se jo, nuk kanë sukses. Dhe po sjellë dy shembuj: njëri brenda Jugosllavisë – Kroaci e tjetri në Shqipëri.
Në vitet 1967-1971, në Kroaci ndodhi një lëvizje që u quajt “Pranvera kroate” ose  “maspok” (shkurtesë për – lëvizje e masave popullore). Qytetarët u çuan në demonstrata e protesta në mënyrë masive. Këtë gjendje mërgata kroate e vlerësoi si të volitshme për të organizuar një kryengritje të armatosur. Nga jashtë, të kamufluar në cisternë, ishin futur komandosë kroatë, të stërvitur në Australi e gjetiu, për të iniciuar një luftë për çlirimin e Kroacisë. Shumica e komandosëve vriten, disa kapen; prej të kapurve – të gjithë ekzekutohen me përjashtim të njërit (Lluka Pavlloviç të cilin e kam njohur edhe personalisht në burgun e Mitrovicës së Sremit në vitin 1981-1983) i cili u dënua me 20 vjet burg, pasi që ende nuk i kishte mbushur 23 vite dhe sipas ligjeve të atëhershme për shkak të moshës nuk kishte predispozita ligjore që ta dënonin me vdekje. Si ishte e mundur që të mos kishin sukses ta ngjallnin rezistencën e armatosur ata komandosë, kur dihet se ata nuk kishin ardhur në një vend të huaj, por ishin në atdheun e tyre dhe se kishin lidhjet familjare e organizative? Përgjigja e përmbledhur është se ndonëse masat popullore ishin të pakënaqura dhe kërkonin reforma shtetërore, nuk ishte gjendja aq kanosëse sa të ndërmerrej rezistencë të armatosur, prandaj, komandosët kroatë nuk gjetën në popull mbështetjen e duhur, ndërkohë që përgjigja ushtarake ishte krejtësisht armiqësore deri në likuidim; pra ende populli (e as pushtetarët kroatë) nuk e shihnin si të vetmen alternativë luftën e armatosur çlirimtare. Fiks dy dekada më pas, në vitin 1991 duke u mbështetur në të drejtën për secesion, më 25 korrik Kroacia do të shpallte pavarësinë e saj nga Jugosllavia; Serbia do ta përdorte ushtrinë për ta penguar shkëputjen e Kroacisë gjë që do të shkaktonte rezistencën e organizuar kroate në luftë çlirimtare, sepse, pas revanit shovinist serbomadh që rrezikonte shtetësinë-republikën e Kroacisë me pushtim e që ishte i papranueshëm për kroatët – qenë krijuar predispozitat që institucionet kroate dhe populli të dilnin në vetëmbrojtje, duke arritur çlirimin e plotë në vitin 1995, përmes Marrëveshjes së Deytonit e cila fillimisht e nënshkruar më 21 nëntor në Deyton e pastaj në Paris u rinënshkrua më 14 dhjetor.
Derisa në Kroaci ndodhi njëherë një tentativë e tillë, në Shqipëri ato ishin përsëritur periodikisht por pa sukses. Inteligjencat e huaja perëndimore kishin stërvitur grupe diversante shqiptarësh antikomunistë dhe i kishin futur në Shqipëri, qoftë për të kryer atentate të ndryshme, për të iniciuar një revoltë apo për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës. Asnjë prej këtyre përpjekjeve nuk kishte arritur thuaja asnjë objektiv; ata ishin eliminuar, ose kapur e dënuar. Përse ky dështim? Përgjigja e përmbledhur është se në masat e gjera nuk ekzistonte ndonjë gjendje e padurueshme sa një shkëndijë nga jashtë të shërbente si pretekst për t’u ngritur në rezistencë qytetare. Ndaj dhe grupet diversante nuk gjenin brenda Shqipërisë mbështetje. Kishte, sigurisht, edhe arsye të tjera, si kundërspiunazhi që do ta ketë sinjalizuar sigurimin shqiptar; pastaj fakti se të ekspozuarit armiqësisht ndaj regjimit komunist ishin internuar e me këtë edhe pamundësuar për reagim; se regjimi komunist e kishte situatën nën kontroll, dhe shtresat e gjera të popullit, duke i ditur pasojat e involvimit në veprime kundër regjimit, nuk shihnin ndonjë perspektivë në ndryshimin e gjendjes me veprime të tilla.
Edhe në Shqipëri, si rrjedhojë e rënies së bllokut socialist sovjetik dhe jugosllav që solli konflikte të armatosura në ato vende, regjimi komunist u trand, masat qytetare u ringjallën dhe nisën reagimet e tyre, duke kulmuar me rrezmin e shtatores së Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991, që shënon de facto edhe fundin e regjimit komunist, formimin e partive politike dhe kalimin gradual të pushtetit nga regjimi komunist në atë pluralist-demokrat. Atë që nuk e kishin arritur inteligjencat perëndimore me dekada, për më pak se dy vite kur ndryshuan kushtet e rrethanat, befas e bëri populli me revolta masive. Kush do ta besonte se regjimi komunist në Shqipëri do të rrëzohej aq lehtë sikurse ndodhi, e jo ashtu fjala vjen sikurse ndodhi në Rumani? Populli i Shqipërisë e kishte kuptuar, në shumicën e tij, se kishte ardhur ora e historisë dhe ai duhej të vepronte, ishte një nevojë e brendshme, autoktone jo e importuar dhe jo e nxitur nga jashtë, prandaj dhe pati sukses.

“Epoka e re”: Dhe? Çka nëse, megjithatë, kishte pra skenarë ruso-serb?
Hajdin Abazi: Edhe po të kenë qetë pasur skenarë ruso-serb, sipas insinuatave të asaj kohe e që i riaktualizon A. Vllasi për të hedhur dyshime dhe konfuzion, duhet shikuar rrjedhat, të cilat tregojnë se ato nuk shkuan, në finale, aspak në shërbim të tyre: ata skenarë i minoi e i shembi populli shqiptar dhe lëvizja e rezistencës.
Duke qenë se pjesëmarrësit në ato revolta të vitit 1981 ishin me qindra-mijëra veta ishte e pamundur që ato të ishin të rekrutuara dhe të vepronin sipas atyre skenarëve. Po të ishte kështu, ato do t’u ishin përmbajtur direktivave dhe nuk do të shndërroheshin në të kundërtën e tyre, duke u dhënë goditje pikërisht skenarëve të tillë. Kjo ia humb fare vlerën dhe rëndësinë skenarëve të mundshëm, meqë rrjedhat nuk shkuan sipas tyre. Për ta bërë më të qartë këtë që po them se nuk ishin vendimtare skenarët ruso-serbë, le ta shtrojmë një pyetje se skenar i kujt ishte shembja e Bashkimit Sovjetik? Shembja e socializmit në vendet e Traktatit të Varshavës? Rënia e regjimit komunist në Shqipëri?Edhe pse kishte skenarë perëndimorë të përgatitur ndër dekada dhe që mund të kenë shërbyer si mbështetje, pa fije dyshimi ishte gjendja e brendshme, kolapsi ekonomik i Bashkimit Sovjetik dhe i vendeve të tjera socialiste, dhuna e padurueshme e aparatit partiako-shtetëror ndaj qytetarëve e kishin ushqyer revoltën qytetare e cila shpërtheu në momentin kur pushteti ishte dobësuar dhe mund të trandej.
Edhe në Shqipëri, rënia erdhi nga brenda: nga populli që e kuptoi se tash duhej vepruar për ta zënë trenin e fundit e historisë. Për t’u rikthyer te shpërthimet e vitit 1981, po qe se njëmend nisma e protestave ka mund të jetë skenar i sigurimit shtetëror ruso-serbe – atëherë populli ynë është treguar i mrekullueshëm dhe një gjeni i jashtëzakonshëm! Po, sepse paska arritur që skenarët e tillë t’i konvertojë në kryengritje paqësore anti-shoviniste kur askush nuk e besonte se po vinin stuhi serbomëdha sikurse erdhën; ka arritur që t’ua prish skenarët dhe t’i denoncojë, duke ndezur alarmin për rreziqet që po inskenoheshin dhe që do të shfaqeshin brenda pak vitesh edhe publikisht; ka arritur t’ua çjerrë maskat dhe kamuflazhet serbomëdhenjve, dhe qeverive e popujve të tjerë të Jugosllavisë t’u tregonte se çfarë po vinte, kurse botës t’i tregonte se uragani serbomadh ishte nisur tashmë e nuk do të vononte të godiste – ani se as pushtetarët e Kosovës e as kroato-sllovenët nuk e kuptuan drejt alarmin që jepnin shqiptarët dhe nuk vepruan me kohë e në mënyrë të duhur, kurse perëndimi, sidomos ShBA kuptoi se Jugosllavisë po i vinte fundi. (Vijon)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur një protestë para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë…