Dënohet me 24 vjet burgim Jetmir Sinani për vrasje të dyfishtë

01 dhjetor 2025 | 21:17

Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka dënuar me 24 vjet burgim Jetmir Sinanin, për vrasje e F.Z dhe L.M në Vushtrri. Rasti kishte ndodhur më 29 shtator 2023.

Gjyqtari Xhemajl Jusufi tha se Sinani u dënua me 23 vite burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë” ndërsa një vit për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësorë trupi gjykues në emer të popullit ndaj të akuzuarit Jetmir Sinanit me të dhëna sikurse në shkresat e lëndës në këtë aktgjykim, i pandehuri Jetmir Sinani për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënpragrafi 1.5 dhe 1.11, është fajtor. Trupi gjykues i cakton burgim me kohëzgjatje prej 23 vjetësh, për veprën e dytë penale “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim i paaturizuar i armëve” gjithashtu shpallet i cakton dënim me burgim deri në kohëzgjatje prej 18 muaj apo 1 vitë e gjysmë”- ka thënë Jusufi.

Sipas gjyqtarit Jusufi, të pandehurit Sinani do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Avokati mbrojtës, Fanol Krasniqi, kishte pretenduar se klienti i tij kishte vepruar nën gjendje të tronditjes së fortë mendore. Gjykata i cilësoi këto pretendime të pabazuara, duke u mbështetur në ekspertizën psikiatrike, e cila konstatoi se Sinani ishte në gjendje të qëndrueshme mendore në momentin kritik. Edhe Gjykata e Apelit nuk kishte kërkuar riekzaminim të këtij aspekti.

“Sa i përket pretendimit për tronditje të fortë mendore, Gjykata ka ardhur në përfundim se një gjendje e tillë nuk ka ekzistuar, duke u bazuar kryesisht në ekspertizën e ekspertes psikiatre, doktoreshës Valbona, e cila në mënyrë të qartë, të besueshme plotësisht, profesionale ka sqaruar se i pandehuri nuk ka pasur tronditje të fortë mendore në ditën kritike. Për më tepër, ky ka qenë pretendim ankimor në ankesën tuaj, ndërsa as Gjykata e Apelit nuk ka vlerësuar se ka nevojë për riekzaminim apo rivlerësim të këtij instituti, përkatësisht të tronditjes së fortë mendore.”- tha ai.

Ndërsa sa i përket mbrojtjes së nevojshme, gjyqtari potencon se trupi gjykues ka vlerësuar të gjitha rrethanat e rastit dhe sipas tij nuk është kontestuar se në ditën kritike ka ndodhur një përleshje a rrahje e poashtu nuk është kontestuar se i pandehuri dhe shokët e tij janë sulmuar në ditën kritike në lagjen e tij, dhe se ka pësuar edhe lëndime të lehta trupore, siç pretendonte avokati Krasniqit

Trupi gjykues ka vlerësuar gjitha rrethanat e rastit, tha qyqtari

“Sa i përket mbrojtjes së nevojshme, trupi gjykues ka vlerësuar gjitha rrethanat e rastit. Nuk është kontestuar se në ditën kritike ka ndodhur një përleshje, një rrahje; nuk është kontestuar se i pandehuri dhe shokët e tij janë sulmuar në ditën kritike në lagjen e tij, ku ka pësuar edhe lëndime të lehta trupore. Por trupi gjykues ka ardhur në përfundim se në këtë rast një prej elementeve të mbrojtjes së nevojshme është që sulmi duhet të jetë në vazhdim e sipër. Në këtë rast, sipas dëshmitarëve dhe provave materiale, sulmi ka pushuar. Të dy dëshmitarët, edhe në rikonstruksion, edhe në gjykim, dy herë kanë deklaruar se momenti kur i ndjeri Fatos e ka drejtuar armën, është kthyer në vendin e tij dhe vetura ka qenë në lëvizje e sipër, që nënkupton se sulmi nga ana e të pandehurit është ndërmarrë pasi ka përfunduar sulmi në këtë rast viktimës”, theksoi gjyqtari.

Sipas aktgjykimit të shpallur, në emër të procedurës penale, i pandehuri obligohet që të paguajë 640 euro, 100 euro në emër të paushallit dhe 50 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Gjykata gjithashtu urdhëroi konfiskimin e përhershëm të armës AK-47, një karikatori dhe 11 fishekëve të kalibrit 7.62×39 mm.

Palët e dëmtuara, Daut Zenuni, Destan Musliu dhe Ilmi Shaqiri, u udhëzuan që kërkesat pasurore-juridike t’i ndjekin në procedurë civile, përcjell Periskopi.

Në gjykimin e parë, më 20.01.2025, i pandehuri ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 24 vjet burgim.

Më 04.11.2025, Gjykata e Mitrovicës ka bërë rikonstruimin e vendit të ngjarjes lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi në tetor të vitit 2023 në Vushtrri.

Sipas aktakuzës, i pandehuri J.S., më 29.10.2023, rreth orës 15:50, në qytetin e Vushtrrisë, në udhëkryqin ku kryqëzohen rrugët “Mehmet Konjuhi”, “Rifat Galica” dhe “Zahir Pajaziti”, me qëllim të privimit nga jeta të personit tjetër, me përdorimin e armës së zjarrit të tipit “AK-47”, ka privuar nga jeta tani të ndjerët F.A. dhe L.M. Me këtë rast, i pandehuri akuzohet për kryerjen e veprave penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje./KSP

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policëve të njësive speciale që angazhohen në plane operative dhe…