Dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari për vrasjen në AKI

18 mars 2022 | 14:01

Gjykata Themelore në Prishtinë të premten e ka dënuar me dënim unik prej 25 vitesh burgim të akuzuarin V. I. i akuzuar për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj- Hyseni.

V.I. akuzohej se kishte privuar nga jeta I.S., e më pas, sipas prokurorisë, për të ikur nga vendi i ngjarjes kishte rrëmbyer një punëtore tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari u dënua me 21 vite burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”, me tre vite burgim për veprën penale “Rrëmbimi” dhe me 1 vit e 6 muaj burgim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Kurse, me dënim unik u dënua me 25 vite burgim.

Të njëjtit, do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 qershor 2020 e ka mbyllur për publikun dhe mediat këtë rast.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka caktuar nga një muaj…