Deputetëve u kërkohen vendime urgjente pas konstituimit të Kuvendit, ndër to buxheti dhe miratimi i Planit të Rritjes

01 shkurt 2026 | 14:17

Instituti i Kosovës për Drejtësi ( ka renditur disa nga vendimet urgjente që sipas tyre duhet t’i adresojë legjislatura e 10-të e Kuvendit të Kosovës. IKD-ja ka thënë  se këto vendime janë vendimtare për funksionimin normal të rendit kushtetues dhe stabilitetin e institucioneve.

Disa prej këtyre vendimeve janë buxheti dhe miratim i Planit të Rritjes.

“Një nga prioritetet kryesore të Kuvendit është miratimi i Ligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes (880 milionë euro) dhe ratifikimi i marrëveshjes me Bankën Botërore (90 milionë euro). Këto vendime janë të domosdoshme për avansimin e interesave strategjike nacionale, zbatimin e obligimeve ndërkombëtare, funksionimin financiar të shtetit, zbatimin e politikave publike dhe shmangien e pasigurisë së institucioneve”, ka njoftuar IKD-ja.

Po ashtu, IKD-ja ka përmendur edhe financimin e RTK-së dhe mbështetjen e komunave.

“Po ashtu, Kuvendi duhet të sigurojë financimin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe mbështetjen financiare për komunat, si pjesë e obligimeve ligjore dhe politike për garantimin e shërbimeve publike dhe funksionimit të komunave në gjithë territorin e vendit”, ka thënë IKD-ja.

IKD-ja ka theksuar se vendim urgjent është edhe zbatimi i aktgjykimeve të Kushtetueses.

“Një prioritet po aq i rëndësishëm mbetet zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë aktgjykimin për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë. Moszbatimi i këtyre vendimeve cenon drejtpërdrejt parimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues”, ka thënë IKD-ja.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë , duke ç’bllokuar proceset kyçe, zbatuar aktgjykimet kushtetuese dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të garantimit të rendit demokratik dhe interesit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në stacioni Policorë Mitrovicë-Veri janë duke u bërë intervistime për…