Deputeti i AAK-së del me një kërkesë publike për kryeministrin Haradinaj
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj ka kritikuar shefin e tij Ramush Haradinajn karshi punës që ai bën dhe aktiviteteve që zhvillon.
Nitaj përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ka thënë se vizita e kryeministrit Haradinaj në Selinë e Shenjtë është ngjarje e jashtëzakonshme dhe se do duhej të promovohej më shumë.
Kjo ngase sipas tij, takimi i Haradinajt me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun dhe me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin, është maja e bashkëpunimit të Kosovës me Vatikanin.
Nitaj i ka kërkuar kryeministrit që të jetë më pak modest, dhe ta bëjë më shumë publike punën e tij.
Postimi i plotë i tij:
Një ngjarje e jashtëzakonshme vizita e Kryeministrit Haradinaj në Selinë e Shenjtë!
Takimi i tij me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun dhe me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin, është maja e bashkëpunimit të Kosovës me Vatikanin!
Unë e kuptoj modestinë e Kryeministrit Haradinaj, por përtej kësaj, opinioni në Kosovë do të duhej të kishte shumë më tepër informata për këtë ngjarje, e jo të ishin aq pak dhe ato me vonesë!
Disa të tjerë edhe kur marrin pjesë në disa konferenca koti, dynden me ekipe televizive, që iu heqin shpenzimet e i marrin me vete për të percjellur aktivitetin e tyre, që jo domosdoshmërisht është edhe interes i opinionit publik.
Kryeministër, të jeni më pak modest, Ju lutem!



