Deputeti Artan Çobi: Prodhuesit e duhanit në Kraja do të kenë përkrahje të plotë institucionale
Deputeti i Kuvendit të Malit të Zi, Artan Çobi, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në një takim me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, me qëllim adresimin e sfidave me të cilat përballen prodhuesit e duhanit në rajonin e Krajës.
Sipas Çobit, takimi u zhvillua me ftesë dhe iniciativë të vetë prodhuesve të duhanit, ndërsa në të morën pjesë edhe sekretari i shtetit, Krsto Ragjenoviq, si dhe drejtues të drejtorive kryesore të ministrisë.
Ai theksoi se prodhimi i duhanit përfaqëson një traditë shumëvjeçare dhe një burim të rëndësishëm të të ardhurave për shumë familje në Kraja, duke nënvizuar nevojën për reagim të shpejtë institucional.
Çobi bëri të ditur se nga takimi dolën disa konkluzione, përfshirë formimin e një grupi punues në afatin më të shpejtë të mundshëm, nisjen e bisedimeve me përpunuesit e duhanit për nënshkrimin e kontratave të sigurta me prodhuesit vendas, si dhe rregullimin e plotë ligjor në përputhje me Ligjin për Duhanin, me synim garantimin e një plasmani të sigurt në treg dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
Në fund, deputeti i Malit të Zi u zotua se do të mbetet i angazhuar për ta çuar këtë proces deri në fund, duke theksuar se bujqit dhe prodhuesit vendas do ta kenë gjithmonë mbështetjen e tij për sigurimin e kushteve dinjitoze të punës dhe zhvillimit.
Postimi i tij:
Mbështetje e plotë prodhuesve tanë të duhanit. Drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe ligjore!
Me ftesë dhe iniciativë të vetë prodhuesve të duhanit, morëm pjesë në një takim shumë të rëndësishëm dhe konstruktiv me përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave. Së bashku me disa prodhues të duhanit nga Kraja, isha aty për t’u dhënë zë dhe mbështetje të plotë kërkesave të prodhuesve tanë.
Prodhimi i duhanit nuk është thjesht një aktivitet bujqësor, por një traditë shumëvjeçare dhe një burim jetik i të ardhurave për shumë familje në rajonin e Krajës. Sfidat me të cilat ata përballen sot kërkojnë reagim të shpejtë dhe institucional.
Në këtë takim, ku morën pjesë sekretari i shtetit Krsto Ragjenoviq dhe drejtuesit e drejtorive kryesore të ministrisë, arritëm në disa konkluzione të rëndësishme:
Formimi i një grupi punues në një afat sa më të shpejtë.
Nisja e bisedimeve me përpunuesit e duhanit në rajon për të mundësuar nënshkrimin e kontratave të sigurta me prodhuesit tanë vendas.
Rregullimi i plotë ligjor në përputhje me Ligjin për Duhanin, gjë që do të garantojë plasman të sigurt në treg dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
Si deputet i Kuvendit të Malit të Zi, mbetem plotësisht i angazhuar që ky proces të shkojë deri në fund. Bujku dhe prodhuesi vendas do të kenë gjithmonë mbështetjen time për të siguruar kushte dinjitoze pune dhe zhvillimi!



