
Deputeti Artan Çobi reagon ndaj presidentit Millatoviq: Publikoni bisedën me zv/kryeministrin Gjeloshaj
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Artan Çobi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit malazez, Jakov Millatoviq, duke kërkuar publikimin e plotë të bisedave ndërmjet tij dhe zëvendëskryeministrit shqiptar, Nik Gjeloshaj. Sipas Çobit, komunikimi i publikuar tregon qartë se nuk ka pasur asnjë kërcënim ndaj presidentit.
Postimi i plotë i deputetit Artan Çobi:
Të nderuar qytetarë,
Nga dita e djeshme jemi dëshmitarë të disa akuzave të pabaza që kanë ardhur nga zyra e presidentit Millatoviq, drejtuar zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, z. Nik Gjeloshaj.
Është pozitive që presidenti ka publikuar një pjesë të bisedës mes tyre, nga e cila shihet qartë se nuk ka pasur asnjë kërcënim ndaj tij personalisht. Nëse presidenti është ndjerë i cenuar nga mundësia e reagimit institucional të përfaqësuesve shqiptarë, atëherë duhej të kishte reflektuar më parë, para se të kthente një ligj të rëndësishëm pa asnjë argument të qëndrueshëm.
Projektligji në fjalë, i propozuar nga unë dhe kolegët e nderuar Nikollë Camaj dhe Ilir Çapuni, ka për qëllim të mundësojë një ndarje më të drejtë të të ardhurave nga shfrytëzimi i territorit të komunave përkatëse. Ky është një hap drejt zhvillimit të barabartë ekonomik për të gjitha zonat e Malit të Zi. Fatkeqësisht, disa e shohin si problem fakti që ky zhvillim përfshin edhe komunat me shumicë shqiptare.
Presidenti Millatoviq, për fat të keq, po ndjek hapat e atyre që në të kaluarën vizatuan kufijtë e të Mirave Detare me qëllim të vetëm: pengimin e zhvillimit ekonomik të Ulqinit. Ashtu siç dështuan ata dikur, do të dështojnë edhe përpjekjet e sotme.
Sa i përket z. Gjeloshaj, ai ka dëshmuar vazhdimisht përkushtim ndaj zhvillimit të Malit të Zi, sidomos në proceset e integrimit euroatlantik dhe reformat ekonomike. Ai nuk angazhohet në lojëra politike ditore dhe nuk favorizon individë që, me punën ose neglizhencën e tyre, kanë dëmtuar ndërmarrjet shtetërore. Z. Gjeloshaj është një nga shtyllat kyçe të Qeverisë së Malit të Zi, dhe mbështetja ndaj tij është mbrojtje e parimeve demokratike dhe institucionalizmit, jo thjesht mbrojtje personale.
Jam i bindur se Prokuroria kompetente do të hedhë poshtë pretendimet e pabazuara të presidentit Millatoviq, dhe e vërteta do të dalë në pah.
Me respekt,
Deputeti Artan Çobi