
Deputeti Gola e sheh si pozitive hyrjen në politikë të profesorëve universitarë për të shërbyer në vendimmarrje
Profesori universitar Ardian Gola për herë të parë hyri në Kuvend si deputet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe përfshirjen në politikë të tij dhe të profesorëve e sheh si pozitive për të shërbyer në vendimmarrje.
“Ne do të duhet të shfrytëzohemi si hallka politike për t’u adresuar më lehtë shqetësimet që vijnë nga fusha jonë, përkatësisht nga fusha e arsimit. S’po them që unë kam bërë sakrificë. Por, përpos kësaj është ai motivi që të mundohesh të kontribuosh me përvojë profesionale në grupe politike”.
Gola tha se pezullimi i të ushtruarit të profesionit në universitet dhe hyrja në politikë s’ka qenë edhe bash i lehtë.
“Si shkëputje ka qenë paksa traumatike, por ajo që vazhdon të më mbajë të motivuar është hapësira juridike për ta ruajtur kontinuitetin e mësimdhënies me universitetin në përgjithësi, për shkak se infrastruktura ligjore i ka disa vegëza që mundemi të manovrojmë për të ruajtur atë. Sigurisht që është një fushë goxha më dinamike dhe sfidat që t’i imponon kjo fushë janë absolutisht të një bote radikalisht të ndryshme prej botës akademike. As s’po them që është më e mirë apo e keqe, por thjesht është ndryshe. Politika dhe bota akademike thjesht koekzistojnë si bota paralele, por të cilat kohë pas kohe mund edhe të ndërveprojnë dhe është saktësisht kërkesa dhe angazhimi im që këtë ndërveprim të mundësohet përmes ligjeve që nuk e shkëpusin hallkën institucionale mes politikës dhe akademisë dhe përkundrazi e fuqizojnë atë”.
Gola ka qenë kritik ndaj Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili u ndalon të jenë deputet dhe profesor në universitet në të njëjtën kohë. Ai ka shtuar se nuk duhet të penalizohen për shkak të abuzimeve që kanë ndodhur në të kaluarën dhe të mohohet një e drejtë kushtetuese dhe njerëzore.
Deputeti i Vetëvendosjes në Info Magazine foli edhe për atë se i duhet të votojë nganjëherë edhe nëse s’pajtohet plotësisht me argumentet e dhëna. Megjithatë, ai tha se është mirë kur s’ka mospajtime dhe se ato duhet të zgjidhen me votë.
“Nganjëherë edhe mendimin që ti e ndan nuk është i përbashkët me partinë të cilës i takon dhe kur vjen pastaj momenti i votimit apo mbrojtjes së mendimit duhet pashmangshëm të operosh me logjikën politike sepse je në botën politike. Nuk mundësh ta bësh një lloj distancomi prej qëndrimeve dhe kauzave të partisë në emër të autonomisë intelektuale dhe akademike. Këtë tension e ndaj edhe me deputetët tjerë të Lëvizjes, sepse e shoh që nganjëherë është njëfarë sikleti i brendshëm kur ndoshta duhet të votosh diçka që s’je plotësisht i bindur. Vota reflekton bindjen, por ajo jo domosdoshmërisht mund të jetë rezultat i argumentimit racional apo i pajtimit me argumentet që të ofrohen. Mund ta ndash mendimin, por jo edhe votën. Nëse mendimi yt është më i argumentueshëm dhe nuk fiton votë atëherë mbështet Grupin Parlamentar. Nuk shoh mekanizëm tjetër se si t’i pajtoj këto dy logjika”.