Deputeti i LV-së thotë se partia ka arritur marrëveshje me Nismën për Qeverinë e re

17 prill 2025 | 22:36

Fituesja e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka arritur marrëveshje me Nismën Socialdemokrate për ta formuar Qeverinë e re të vendit, tha të enjten vonë deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Haxhi Avdyli.

Duke folur për emisionin “Konfront” të KTV-së, Avdyli tha se nuk është i autorizuar të flasë për marrëveshjen, por shtoi madje se bisedimet janë “shumë pozitive” dhe se tashmë “LVV-ja i ka 61 vota në Kuvend”, por se ajo do më shumë se aq.

“Kemi bisedime dhe bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi të shkruar, por mbi këtë shumë shpejt… Për këtë do të dalim para opinionit. S’jam i autorizuar që të flas për këtë”, tha Avdyli.

Gjatë diskutimit me Teutë Rrustën e PSD-së, Avdyli ka thënë se “një marrëveshje ekziston dhe kjo është në të mirë të demokracisë kur ka marrëveshje”.

Avdyli ka folur edhe për kërkesat e Nismës për arritje të koalicionit, ku përmendi se është kërkuar edhe ulja e pragut zgjedhor.

“Nisma më shumë është duke kërkuar ato të cilat janë disa nga parimet. Një prej tyre është edhe ulja e pragut zgjedhor, të cilin e ka kërkuar nga ne dhe të gjitha partitë. Është një prej kërkesave, ulja e pragut zgjedhor, që ne i kemi diskutuar, ne si Guxo. Ndoshta edhe nuk është ide e keqe. Ende s’është marrë ky vendim, por unë sa e kam dëgjuar, është një nga kërkesat. Janë edhe disa kërkesa të tjera”, ka deklaruar ai.

Nisma, e cila garoi në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka komentuar deri më tani rreth marrëveshjes së mundshme me LVV-në.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një takim për “zgjidhje mosmarrëveshjesh” përfundoi me rrahje dhe kërcënime…