Deputeti i PDK-së kërkon nga institucionet që gjykimi i krerëve të UÇK-së të jetë prioritet
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kërkuar nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, që çështja e gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë të jetë prioritet numër një i angazhimit institucional.
Behrami ka theksuar se raportimi për Dhomat e Specializuara duhet të ndryshojë dhe të bëhet drejtpërdrejt në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar edhe ndryshime ligjore nëse është e nevojshme.
“Do të fokusohem vetëm në Dhomat e Specializuara të Kosovës, sa i takon raportimit kjo gjykatë edhe më tutje i raporton UNMIK-ut përmes EULEX-it, kështu e bën këtë gjykatë jo të Kosovës por të Kombeve të Bashkuara, është mirë që të bashkërendohen veprimet në mënyrë që ky raportim të bëhet në Kuvendin e Kosovës, nëse dikush thotë që nuk është në ligj, duhet të ndryshohet edhe ligji. Një angazhim i cili duhet të ketë prioritet numër një në këtë fazë verdikti për krerët e UÇK-së në Hagë. Mendoj se angazhimi juaj në këtë drejtim do të mundësonte që ky verdikt të mos bazohet në vendime politike, por në sallë të gjyqit”, ka thënë Behrami.
Ai ka kërkuar nga ministri Hoti që të ketë angazhim konkret për përmbushjen e kërkesave të ish-krerëve të UÇK-së. “Ju kisha lutur si ministër i ri, në mënyrë që kërkesat që kanë ardhur në këtë fazë nga krerët e UÇK-së të plotësohen”, ka thënë Murati, duke e pyetur ministrin Hoti se cili do të jetë angazhimi i tij konkret për këta muaj.
Ndërkaq ministri Andin Hoti ka thënë se beson që procesi në Dhomat e Specializuara do të përfundojë shpejt dhe se të akuzuarit, sipas tij, do të dalin të lirë. “Dhomat e Specializuara kanë për të përfunduar shumë shpejt dhe të gjithë ata që janë padrejtësisht në Hagë do të dalin të lirë. Çfarëdo që është në kompetencë të ministrisë që drejtoj, natyrisht se do të jetë në dispozicion të secilit për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së. Por, departamenti që merret me Dhomat e Specializuara është në Ministrinë e Drejtësisë, nuk është te unë. Megjithatë po e përsëris përsëri, në kompetencën time, në bashkëpunim me cilindo departament, natyrisht që do të jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimet tona si ministri”, ka thënë Hoti.



