Deputeti Karameta jep sinjal, Arben Gashi i LDK-së thotë se “S’ka më mirë se në shtëpi”

28 gusht 2021 | 13:46

Zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetorin e këtij viti kanë shpërfaqur pakënaqësi të mëdha brenda Listës ‘Guxo’ të themeluar nga Vjosa Osmani. Në disa komuna përfaqësuesit e kësaj nisme politike s’janë pajtuar që ta garojnë bashkë me Vetëvendosjen, dhe kanë ndarë rrugën me “GUXO”- n që aktualisht është nën drejtimin e Donika Gërvallës.

Por mospajtime brenda GUXO-s duket se ka edhe në nivelin qendror. Kanë qenë kritikat masive të qytetarëve drejt Arben Vitisë për menaxhimin e pandemisë që kanë nxjerrë në shesh mospajtimet brenda GUXO-së, meqë deputeti i kësaj nisme, Burim Karameta, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Vitia.

Por e një mendimi të tillë s’ka qenë Donika Gërvalla, e cila ka reaguar menjëherë pas qortimeve të Karametës për ministrin e Shëndetësisë, duke thënë se “ia heq kapelën kolegut tim Arben Vitia”

Këto mospajtimet publike brenda GUXO-s duket se kanë rritur pritjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës për një kthim të mundshëm në parti të personave të pakënaqur me “GUXO”-n.

Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka shkruar sot se LDK’ja është shtëpia më e mirë dhe se nuk ka tjetër.

Ky reagim i Gashit duket si një mesazh indirekt në prag të zgjedhjeve lokale për anëtarët e GUXO-s të cilët s’janë të kënaqur me vendimet e partisë.

“S’ka si shtëpia jonë – s’ka si LDK-ja. S’ka më mirë se në shtëpi. Të sjell ngrohtësi e kënaqësi. Askush e asnjëherë nuk ndihet më mirë se në shtëpi. Veç në shtëpi ndihesh i plotësuar, ngaqë veç aty plotësohesh dhe je vetvetja”, ka shkruar Gashi në profilin e tij zyrtar.

Për rikthimin e mundshëm në LDK të anëtarëve që u larguan pas Vjosa Osmanit është diskutuar në vazhdimësi. Nga zyrtarë të GUXO-s madje ishte thënë se në momentin që do të ndryshohej kryetari dhe kryesia e vjetër e partisës do të shqyrtonin kthimin e mundshëm në LDK.

Vjosa Osmani ishte larguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kishte krijuar iniciativën e saj “GUXO” pas përplasjeve dhe mospajtimeve të shumta rreth koalicionit me Vetëvendosjen. Aktualisht drejtimi i nismës është në duart e Donika Gërvallës, meqë Osmani si rezultat i koalicionit me VV’në është bërë presidente e shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Prishtinës…