Deputeti shqiptar në Uashington: Ulja e pranisë ushtarake amerikane në KFOR rrit rrezikun e konflikteve në Ballkan
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Mediu, ka marrë pjesë në aktivitetin e Komitetit të Mbrojtjes të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku ishte folës kryesor në një panel të zhvilluar në Johns Hopkins SAIS, në bashkëpunim me Merrill Center for Strategic Studies.
Mediu ka ngritur shqetësimin për situatën në Ballkan dhe ka paralajmëruar se ulja e pranisë amerikane në KFOR mund të rrisë rrezikun e destabilizimit në rajon.
Gjatë takimeve, Mediu ka theksuar nevojën për forcimin e NATO-s dhe rritjen e investimeve në mbrojtje nga vendet evropiane.
Reagimi i plotë i Mediut:
US Washington DC/Komiteti i Mbrojtjes i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Kënaqësi të isha folës kryesor në një panel me dy gjeneralë të shquar amerikanë, Michael Barbero dhe Lanse Landrume, në forumin e organizuar në Johns Hopkins nga SAIS, në bashkëpunim me Merrill Center for Strategic Studies.
Një shkëmbim kritik, në një moment delikat për marrëdhënien transatlantike, i drejtuar nga Edward P. Joseph, drejtues i SAIS. Diskutimet u përqendruan te lufta në Iran, qëllimet dhe ndikimet gjeopolitike, situata në Ukrainë dhe, padyshim, situata në Ballkan, me provokimet e fundit serbe në veri të Kosovës. Shqetësimi i disa senatorëve dhe kongresmenëve, drejtuar sekretarit Rubio, lidhej me uljen e prezencës ushtarake amerikane në KFOR, një veprim i cili mund të inkurajojë zhvillime që cenojnë stabilitetin dhe rrisin rrezikun e konflikteve të mundshme në Ballkan.
Po ashtu, diskutime shumë të rëndësishme u zhvilluan në Hudson dhe Carnegie Institute për situatën e Aleancës së Atlantikut (NATO). U theksua nevoja për forcimin e NATO-s dhe rritjen e investimeve në mbrojtje nga vendet evropiane, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe thellimin e bashkëpunimit, duke eliminuar çdo politikë proteksionizmi në investimet në mbrojtje, që dobëson forcën e aleancës.



