Deputetja e LV-së tentoi ta poshtërojë, reagon Duda Balje: Komplekset të shkatërrojnë

03 qershor 2025 | 11:21

Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje. ka reaguar pas deklaratës së mbrëmshme të deputetes së Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu, e cila ka tentuar ta poshtërojë Baljen, duke thënë se “kë mund ta mësojë ajo”.

Deklarata e Kryeziut vjen pasi Balje ditë më parë ka thënë se i kanë ofruar një pozitë të profesoreshës në Shkup në këmbim të votës së saj për Albulena Haxhiun kryeparlamentare. Balje kishte thënë se pozita i ishte ofruar nga persona ndërmjetës.

Në një tentim për ta mohuar se ia kanë bërë këtë ofertë nga Lëvizje Vetëvendosje, Kryeziu në emisionin “Politiko” ka thënë: “Jam shumë kureshtare me ditë çfarë lënde kish me dhënë Duda Balje. Jam shumë kurioze me ditë kënd e mëson e kënd kish mund me mësu Duda”.

“Është shumë keq kur del e thu ‘shiko se mu m’kanë ofru me u bë profesoreshë.  I kemi ofruar zonjës Balje që me qenë pjesë e koalicionit. Ajo mund me thënë gjithçka, por nuk është e vërtetë që kryeministri Kurti ka shku edhe i ka bërë oferta të tilla”, ka thënë ajo.

Kësaj deklarate i ka reaguar Balje.

“Dhe tani si, me të gjithë ata kolegë që nuk dinë (pothuajse asgjë) por që do të donin shumë ta dinin a duhet t’i shpjegoj një nga një apo duhet të kërkoj një takim të përbashkët me të gjithë? P.S. Kjo duhet të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur sepse është kaq e rëndësishme për mua se çfarë mendojnë ata, sa nuk mund ta imagjinosh…Mos vet!!!!! Komplekset e tua të vlerës më të lartë do të të shkatërrojnë. Arbëreshë Kryeziu Hyseni”, ka shkruar Balje në “Facebook”.

Deputetja boshnjake pati deklaruar disa ditë më parë se i ishte ofruar postin i profesoreshës dhe kishte thënë se ndërmjetësimi ishte bërë nga një mjeke.

“Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam aplikuar për profesoreshë në Maqedoni edhe kam plotësuar krejt kushtet ama më nuk kam aplikuar. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutuarpër vendin e punës si profesoreshë”, kishte thënë Balje.

“Nëse ju e votoni Albulena Haxhiun apo…?”, ishte pyetur ajo nga gazetarët.

“Po, nuk ka qenë direkt, por… Është një shoqe, një mjeke e Kosovës. Disa herë jemi taku rastësisht. Përgjigja ime ka qenë jo, kam refuzuar sepse unë nuk i njoh këta persona dhe vërtet ka qenë e papranueshme. Ka pasur dy tri thirrje”, kishte thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së heroinës Xhevë Krasniqi Lladrovci,…