Deputetja e PDK-së viziton Infektiven: Qeveria i ka braktisur punëtorët shëndetësorë

01 shtator 2021 | 12:57

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka vizituar Klinikën Infektive në QKUK.

Ajo ka thënë se gati dy vjet papushim, punëtorët shëndetësorë vazhdojnë betejën kundër Covid-19 përkundër të gjitha vështirësive dhe mungesës së përkrahjes së duhur.

“Në vizitën time në repartin e Infektives vërejta një fluks shumë të madh të pacientëve. Si më njoftuan stafi, mesatarisht trajtojnë 125 pacientë në ditë nën kapacitete tejet të kufizuara. Mungesë e theksuar e infermierëve, vetëm 69 në të shtatë repartet. Për shkak të numrit të ulët të tyre, vazhdojnë të punojnë me orare të tejzgjatur me pagesa turpëruese e dekurajuese. Është thjesht vullneti e përkushtimi i vetmohueshëm i tyre që po e mban gjallë luftën për shpëtimin e jetëve! Qeveria, e them me shumë përgjegjësi, i ka braktisur ata dhe ka dezertuar përballë kësaj beteje të zgjatur me pandeminë”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” deputetja Deliu.

Postimi i plotë i saj:

Për gati dy vjet papushim, punëtorët shëndetësor vazhdojnë betejën kundër COVID-19 përkundër të gjitha vështirësive dhe mungesës së përkrahjes së duhur.
Në periudhën fillestare të pandemisë, punëtorët shëndetësor luftonin kundër një virusi të panjohur, i cili po shpërndahej në mënyrë marramendëse në gjitha cepet e botës. Punëtorët tanë shëndetësor u vunë në ballë të betejës pa më të voglin hezitim përballë rrezikut për veten dhe familjet e tyre. Ata mbesin edhe sot heronjtë tanë! Edhe sot, kur përballja me COVID-19 do të duhej të ishte më e lehtë, për faktin kryesor se, tashmë, ekziston vaksina për ta luftuar virusin. Por, edhe sot punëtorët shëndetësor gjenden në të njëjtën valë pacientësh, përballë një variant të ri të virusit, ende më vdekjeprurës. Sikur Qeveria të kishte vëmendjen te shëndeti i qytetarëve, të siguronte me kohë dozat e nevojshme të vaksinave, numri i pacientëve do të shënonte statistika jashtëzakonisht më të ulta.
Në vizitën time në Repartin e Infektivës vërejta një fluks shumë të madh të pacientëve. Si më njoftuan stafi, mesatarisht trajtojnë 125 pacientë në ditë nën kapacitete tejet të kufizuara. Mungesë e theksuar e infermerëve, vetëm 69 në të shtatë repartet. Për shkak të numrit të ulët të tyre, vazhdojnë të punojnë me orare të tejzgjatura me pagesa turpëruese e dekurajuese. Është thjesht vullneti e përkushtimi i vetmohueshëm i tyre që po e mban gjallë luftën për shpëtimin e jetëve! Qeveria, e them me shumë përgjegjësi, i ka braktisur ata dhe ka dezertuar përballë kësaj beteje të zgjatur me pandeminë.
I kam dëgjuar me shumë kujdes të gjitha brengat e tyre dhe i kam përjetuar me shqetësim vështirësitë me të cilat përballen. Prandaj, e përsëris se në mungesë totale të vullnetit të Qeverisë për t’u rreshtuar me luftëtarët kundër virusit dhe mbrojtur jetët e njerëzve, deputetët e Kuvendit duhet të kthehen menjëherë në detyrat e tyre për të detyruar Qeverinë të veprojë.
Falenderoj përzemërsisht për mikpritjen e stafit të Repartit të Infektivës dhe bashkëndjej me ta të gjitha vështirësitë me të cilat përballen.
Si deputete e Kuvendit të Kosovës do të bëj çmos për t’u siguruar mbështetjen e merituar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati…