
Deputetja Fitore Pacolli rrëfen përpjekjet për një shtatëzani me IVF
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli, ka ndarë publikisht përvojën e saj personale me trajtimin për infertilitet përmes metodës së fekondimit in vitro (IVF), duke folur me ndjeshmëri për sfidat që përballojnë shumë çifte në vend.
“Në fillim mendon se je vetëm. Nuk ke askënd afër që ka kaluar në të njëjtën rrugë. Por kur fillova ta diskutoj me shoqet, kolegët e njerëzit e mi të afërt, kuptova që nuk jemi vetëm ne. Shumë çifte kanë kaluar dhe po kalojnë në sfida të ngjashme,” ka rrëfyer ajo.
Pacolli theksoi se ajo që e ka befasuar më së shumti është heshtja që e rrethon këtë temë, pasi sipas saj, njerëzit rrallë flasin hapur për përvojën e tyre.
“Nuk është proces i lehtë. Asnjë çift nuk mund ta kuptojë plotësisht nëse nuk ka kaluar vetë nëpër këtë rrugë. Procedurat janë të shumta dhe shpesh mund të zgjasin për vite me radhë. Por sfida më e madhe është emocionale”, ka deklaruar ajo.
Deputetja Pacolli theksoi edhe aspektin financiar të trajtimit me IVF, duke theksuar se çmimi i lartë është një barrë shtesë për çiftet.
“Vetëm trajtimi kushton mbi 2,500 euro. Barnat e nevojshme shkojnë mbi 1,000 euro. Në total, procedura mund të arrijë deri në 3,000 euro ose më shumë,” theksoi ajo.
Ajo tha se edhe ajo vetë dhe partneri i saj janë përballur me vështirësi ekonomike gjatë këtij procesi, por se më e rëndësishmja ishte mbështetja emocionale nga të tjerët që kanë kaluar nëpër të njëjtën rrugë.
Në një mesazh për çiftet që ndodhen në të njëjtën sfidë, Pacolli inkurajoi hapjen dhe ndarjen e përvojave. “E kalon më lehtë kur e ndan me të tjerët. Kur nuk ndihesh i vetëm,” përfundoi ajo.
“Ka pasur situata kur aty e kam parë veten që nuk ishim shumë të fortë kur sfidohemi emocionalisht me një çështje si kjo e krijimit të familjes,” tha deputetja. “Është një rrugë që të ndjen të zbrazët, e lodhshme. Por më ndihmoi fakti që ishin edhe të tjerë si ne, që kishin kaluar nëpër të njëjtën procedurë dhe i ndanim përvojat bashkë”, ka deklaruar ajo për ATV.