Deputetja gjermane mban fjalim në Bundestag me foshnjën në duar

25 shtator 2025 | 08:21

Deputetja e të Gjelbërve në Bundestagun gjerman, Hanna Steinmüller, ka bërë histori duke mbajtur fjalimin e saj për buxhetin e Ministrisë së Ndërtimit me foshnjën e saj në mbajtësen e barkut. Parlamentit gjerman e cilësoi këtë moment si herën e parë që një deputete del në foltore me fëmijën e saj.

Në një video të publikuar nga Bundestagu shihet se djali i vogël e mori qetë vëmendjen, madje duket se po flinte gjatë fjalimit të nënës së tij.

Steinmüller, e cila në fund të dhjetorit njoftoi lindjen e fëmijës, e kishte marrë më parë vogëlushin në sallën plenare, por për herë të parë e solli të lidhur në mbajtëse edhe në foltore. “Ditë e çmendur. Fillimisht do të gëzohemi në mbrëmje, nesër disa mendime më shumë për pajtueshmërinë,” shkroi ajo në Instagram pas seancës.

Presidentja e Parlamentit, Julia Klöckner, e përgëzoi Steinmüller në rrjete sociale duke thënë se deputetja e menaxhoi sfidën e kujdesit me foshnjën “në mënyrë të shkëlqyer” dhe se nën rrethana të caktuara është e pranueshme që foshnjat të lejohen në sallën plenare, shkruan Spiegel.de.

Çështja e prindërve me foshnja në parlament ka shkaktuar debat edhe më herët. Në vitin 2009 disa deputete u përplasën me presidentin e Parlamentit të Berlinit, ndërsa në vitin 2014 Baden-Württemberg u bë landi i parë gjerman që prezantoi pushimin prindëror për deputetët. Në vitin 2017 Bundestagu hapi edhe një dhomë lojërash, nismë e mbështetur përtej vijave partiake nga deputetët e grupimit “Prindërit në Politikë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipet e shpëtimit thonë se të paktën 20 persona janë…