
Deputetja Kabashi-Muçaj mohon raportimet për votën pro Kurtit: S’kam qëndrim ndryshe prej LDK-së
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Serbeze Kabashi – Muçaj, ka reaguar në “Facebook” rreth lajmeve që lakojnë emrin e saj si një votë potenciale për qeverinë e ardhshme të synuar nga Albin Kurti.
Ditëve të fundit, në medie po ashtu kishte raportime, ku pretendohej për një takim në mes të deputetes në fjalë dhe Albin Kurtit.
Por këto raportime, i ka hedhur poshtë deputetja Kabashi – Muçaj, duke thënë se vota e saj, nuk është dhe nuk do të jetë jashtë vullnetit të LDK-së.
Postimi i plotë:
DEKLARATË PUBLIKE:
Për shkak të reagimeve të shumta ku është lakuar emri im në lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje, dëshiroj të jem e qartë: qëndrimi im nuk ka ndryshuar.
Unë nuk kam dhe nuk do të ushtroj asnjëherë votë individuale për ndonjë parti politike jashtë vullnetit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vendimmarrja ime është dhe do të mbetet gjithmonë në përputhje të plotë me qëndrimet politike të LDK-së, përfshirë edhe rastet kur diskutohet apo vendoset për ndonjë koalicion të mundshëm.
Jam e vendosur që të përfaqësoj me integritet dhe përgjegjësi besimin që më kanë dhënë qytetarët, dhe kurrë nuk do të veproj në kundërshtim me këtë besim.
Prof. Dr. Serbeze Kabashi – Muçaj
Deputete e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuese e LDK-së