Deputetja me pesë mandate dhe këshilltarja e Osmanit falënderon Harry Bajraktarin për mbështetjen e fuqishme
Deputetja e pesë mandateve dhe këshilltarja politike e presidentes, Vjosa Osmani, Donika Kadaj, ka falënderuar biznesmenin shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, për mbështetjen e tij dhënë Vjosa Osmani edhe për një mandat të ri në krye të Presidencës.
Kadaj ka thënë se zëri i Harry Bajraktarit gëzon autoritet moral dhe peshë publike, të ndërtuara mbi dekada shërbimi konsekuent ndaj popullit tonë dhe kauzës kombëtare.
“I dashur Harry. Faleminderit sinqerisht dhe nga zemra për mbështetjen tënde të qëndrueshme dhe të palëkundur ndaj kauzave shqiptare. Për dekada me radhë, angazhimi yt ka qenë i udhëhequr nga parimi, vizioni dhe përgjegjësia publike, duke nisur nga trashëgimia morale dhe politike e Dr. Ibrahim Rugovës, përmes angazhimit tënd gjatë periudhës së luftës së shenjtë të UÇK-së, dhe deri më sot, kur me qartësi dhe maturi intelektuale vlerëson domosdoshmërinë e unitetit dhe njeh lidershipin shtetëror, vizionin dhe arritjet e jashtëzakonshme të Presidentes Vjosa Osmani. Zëri yt gëzon autoritet moral dhe peshë publike, të ndërtuara mbi dekada shërbimi konsekuent ndaj popullit tonë dhe kauzës kombëtare. Shpresoj që përkrahja jote e vazhdueshme të frymëzojë edhe më tej bashkëpunimin dhe angazhimin tonë të përbashkët për të mirën e kombit. Me respekt dhe mirënjohje të thellë”, ka shkruar Kadaj në rrjetet sociale.



