
Deputetja Musliu: Bllokimi i Kuvendit është strategji e Albin Kurtit
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se bllokimi i Kuvendit është strategjia e Albin Kurtit për të ushtruar pushtetin pa mbikëqyrje parlamentare.
Ajo ka thënë se mungesa e gatishmërisë për marrëveshje politike tregon papjekuri të lidershipit dhe një tentativë për instalimin e një pushteti autoritar.
“Refuzimi i emrit të Albulena Haxhiut nuk është çështje inatesh politike. Albulena Haxhiu refuzohet sepse është: Përçarëse, akuzuese dhe pa mendim politik të qartë. Gruaja më e indoktrinuar në skenën politike të Kosovës. Personi që ka sulmuar Kuvendin dhe kolegët e saj me gaz lotsjellës. Ministrja që nuk dha dorëheqje pas humbjes së mostrave të Astrit Deharit, rast që u përdor si shtylla kryesore e kauzës së tyre për pushtet. Një nga ministrat me performancën më të dobët në kabinetin qeveritar. Ministre e Drejtësisë që gjatë katër viteve në detyrë ka sulmuar institucionet e drejtësisë në Kosovë. Këto janë vetëm disa nga arsyet pse Albulena Haxhiu është personi më i papërshtatshëm dhe i papranueshëm për postin e Kryetarit të Kuvendit. Albin Kurti e di këtë. Por, duket se ka harruar se Kuvendi, pavarësisht dominancës numerike të kukullave të tij politike, kurrë nuk do të shndërrohet në vegël të Vetëvendosjes”, ka thënë Musliu.