
Deputetja Musliu me vajza nga Drenica bëjnë homazhe te varri i Shote Galicës (Foto)
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, së bashku me disa vajza nga Drenica kanë bërë homazhe të varri i Shote Galicës, në përvjetorin e vdekjes së saj.
“Bashkë me gra dhe vajza nga Drenica bëmë homazhe pranë varrit të Shote Galicës ne Fushë-Krujë me rastin e përvjetorit te vdekjes se saj! Nder dhe krenari përherë!”, ka shkruar Musliu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Qerime (Halil) Radisheva, e njohur si Shote Galica, lindi në vitin 1895. Ajo ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri. Heroina Shote Galica ishte gruaja e Azem Bejtës.
Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare.
Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë. Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbanisë së Vogël).
Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Humbi në luftime nga masakrat e shovenistëve serbë 22 anëtarë të familjes.
Më 3 korrik 1927 Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku vdiq në Fushë Krujë e braktisur nga qeveria e Zogut.
/Epoka e re/