Derbi i takon Dritës

16 shkurt 2020 | 15:27

Derbi gjilanas mes dy skuadrave të këtij qyteti, Drita dhe Gjilani, ka përfunduar me fitoren e vendësve.

Ndonëse pjesa e parë përfundoi pa gola, por me goditje shtyllash në katër raste, pjesa e dytë solli fituesin.

Drita shënoi në minutën e 65-të për rezultatin 1-0, kurse dyfishimin e epërsisë e realizoi në minutën e 76-të.

Dy golat i shënoi Betim Haxhimusa, ndërsa për asistues në golin e parë e pati Xhevdet Shabanin kurse në të dytin Astrit Fazliun.

Me këtë fitore, Drita merr vendin e dytë, me pikë të barabarta (34) me Prishtinën që zbret në pozitën e tretë shkaku i goldallimit, kurse vendin e parë vazhdon ta mbajë Ballkani i Suharekës me 3 pikë më shumë (37). Gjilani, ndërkaq, gjendet në pozitën e 4-të, 2 pikë prapa Prishtinës.

Në ndeshjen tjetër, Dukagjini-Llapi nuk pati fitues, pasi ndeshja përfundoi me rezultatin fillestar, 0-0.

Llapi është në pozitën e 6-të me 25 pikë të tubuara nga 18 xhiro, kurse Dukagjini në vendin e fundit me vetëm 9 pikë të mbledhura në po aq xhiro.

Kurse në ndeshjen e fundit të kësaj xhiroje, Flamurtari arriti të mposhtte Trepçën ’89 me rezultat 4-3.

4 gola u shënuan në pjesën e parë, ku vendësit arritën të kalojnë në epërsi qysh në minutën e 14-të përmes Maxhunit, por në minutën e 32-të shifrat u barazuan përmes Manajt.

Megjithatë, vetëm 7 minuta më vonë, ishte Zeqaj ai që e çoi Flamurtarin sërish në epërsi, e për të dyfishuar këtë epërsi u përkujdes bashkëlojtari i tij Shend Kelmendi vetëm një minutë më vonë (’40).

Në pjesën e dytë u shënuan edhe 3 gola tjerë, kur skuadra mitrovicase arriti të barazonte sërish rezultatin në 3-3, por në minutën e 78-të Gucev shënoi për rezultatin 4-3 për Flamurtarin.

Ky rezultat megjithatë nuk e largon Flamurtarin nga zona e cila e rrëzon në një ligë më poshtë (vendi i 9-të, 22 pikë), por gjendet vetëm 1 pikë prapa Trepçës ’89 (vendi i 8-të, 23 pikë).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK),  ka njoftuar për kushtet atmosferike…