Derbi ndaj Juventusit, Chivu: Duel i rëndësishëm, pres një Inter dominant  

12 shtator 2025 | 14:21

Pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve, Interi rikthehet në fushë me një sfidë të zjarrtë: derbin e Italisë kundër Juventusit në “Allianz Stadium”.

Pas humbjes zhgënjyese ndaj Udineses, zikaltërit kërkojnë të ringrihen menjëherë për të mos humbur terren në renditje që në javët e para të kampionatit. Trajneri Cristian Chivu foli sot në konferencën për shtyp, duke komentuar gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për supersfidën.

“Grupi ka punuar mirë dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Ndeshje si kjo nuk kanë nevojë për ngarkesë shtesë, sepse rëndësinë e saj e dimë të gjithë. Duhet qetësi dhe mentalitet i duhur për të lexuar momentet e lojës”, tha Chivu.

Tekniku rumun pranoi se skuadra ka disa gjëra për të përmirësuar, por theksoi se nuk do të bëjë ndryshime drastike: “Unë duhet të shtoj besim, energji dhe motivim. Kjo skuadër ka qenë në majat e futbollit italian dhe evropian, detyra ime është ta çoj edhe më lart”.

I pyetur për afrimin e Akanji, trajneri u shpreh se nuk ka rëndësi si ka ardhur, por kontributi i tij: “Ka eksperiencë ndërkombëtare dhe është gati për një ndeshje të madhe si kjo. Por nuk dua të flas për një lojtar të vetëm, sepse të gjithë duhet të japin maksimumin”.

Përballja me Juventusin – Chivu e sheh takimin si një provë të rëndësishme, por jo vendimtare: “Është një maratonë. E dimë rëndësinë e ndeshjes, por sezoni është i gjatë. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të punosh fort dhe të mësosh nga gabimet”.

Trajneri kërkon nga lojtarët e tij që të luajnë me krenari dhe personalitet: “Pres që Interi të jetë dominant. Mentaliteti, motivimi dhe krenaria vlejnë më shumë se çdo taktikë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë thirrje tek partitë…