Derbi në Mitrovicë
Sonte (e mërkurë) prej orës 20:30 zhvillohet derbi i xhiros së 25-të në Superligën A të Kosovës në hendboll. Takohen Trepça e Rahoveci.
Trepça është e dyta me 30 pikë, ndërsa Rahoveci është i treti me 23 pikë. Rahoveci është pjesë e garës së fortë për plejof. Nga 23 pikë në pozitat katër e pesë i kanë Prishtina dhe Vushtrria. Kastrioti është i gjashti me 19 pikë. Rahoveci fitoi ndaj Prishtinës në xhiron e kaluar dhe do të përpiqet ta fitojë edhe një ndeshje të rëndësishme. Nga udhëtimi i kaluar në Mitrovicë, “vreshtarët” janë kthyer me pikë të plota. Por Trepça është në seri fitoresh dhe këtë herë synon t’i mbajë pikët për vete.
Dy ndeshjet e tjera janë të enjten. Kastrioti e ka thuajse rastin e fundit për të hyrë në garë për plejof. Takohet me Vushtrrinë nga ora 18:00, në palestrën në Shtime. Kampionia dhe liderja e klasifikimit, Besa Famgas, luan në kryeqytet ndaj Prishtinës, të enjten prej orës 20:30.
Prishtina është në krizë të rezultateve dhe do të mundohet të reagojë. Ndërkohë Besa pasi ka humbur pikë të dielën në Prishtinë, do të mundohet të kthehet te fitorja. Besa udhëheq me 42 pikë dhe ka siguruar vendin e parë për plejof.