
Derisa Trump paralajmëron se do ta “qes në rrugë” dialogun, Kosova ende pa institucione
Ardhja e deputetëve sot në seancë për herë të 32-të doli të jetë sërish e kot. Ata nuk arritën ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.
Krejt kjo për shkak që partia e parë fituese, Vetëvendosje, nuk po arrin me i bë numrat për votimin e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare.
Derisa dështimet e ligjvënësve nuk po kanë fund, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump paralajmëroi për marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë.
Madje ai duke fajësuar ish presidentin Biden, tha se ishte vet Trump që ndaloi luftën Kosovë-Serbi.
“…Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin në përplasje të ashpra, siç kanë qenë për dekada me radhë, dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova! (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të gabuara, por unë do ta rregulloj sërish!)”, ka shkruar Trump.
Por me vëmendjen e SHBA-së ende s’dihet se cili do të merret për shkak të mosformimit të qeverisë re. E kjo u kritikua nga profesori dhe opinionisti politik, Valon Murati, duke pyetur se “ne a kemi plan?”
“Pyetje të rënda për një shoqëri e sidomos politikë që nuk mund ta konstituojë Kuvendin që dy muaj e pas 32 përpjekjeve”, tha ai.
Ndërsa ish deputeti Besnik Tahiri e cilëson këtë deklaratë si një sinjal që Kosova duhet ta lexojë me kujdes, sidomos në një kohë kur bota përballet me konflikte serioze.
Ai tha se Kosova duhet të kthejellet.
“Presidenti Trump sot foli qartë për një marrëveshje të shpejtë mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa në të njëjtin postim përmendi edhe marrëveshjen Kosovë–Serbi. Në këtë kohë që në botë po ndodhin luftëra, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme”, shkroi Tahiri në një reagim në Facebook./Periskopi