Dëshmi të luftës: “UÇK ishte kujdesur për anëtarët e delegacionit, sjelljet e tyre ishin korrekte”, raportimet për rastin e Qirezit në 1998

06 nëntor 2023 | 18:46

Gjergj Dedaj është dëshmitari i 33-të i Prokurorisë së Specializuar të Hagës në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Dedaj gjatë ditës së sotme ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjet e shtatorit të vitit 1998 në Qirez të Skenderajt.

Ai para trupit gjykues e ka mohuar kategorikisht që së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit janë arrestuar nga UÇK-ja.

Demokracia e ka siguruar deklaratën e Gjergj Dedajt, të cilën e kishte dhënë në Prishtinë dhe ishte publikuar nga Qendra Informative e Kosovës (QIK), më 23 shtator 1998. Deklaratën e tij për media e kishin publikuar pothuajse të gjitha mediumet e asaj kohe, përfshirë QIK-un e Bujkun. Dedaj në atë konferencë për media kishte konstatuar atë që e tha edhe sot para trupit gjykues, se sjellja e UÇK-së ishte korrekte dhe e kishte specifikuar se UÇK-ja ishte kujdesur për anëtarët e delegacionit.

“Na kanë pyetur për aktivitetet tona politike, të cilat janë publike dhe tashmë të njohura. Sjelljet e tyre ishin korrekte dhe se ata (pjesëtarët e UÇK-së) janë kujdesur për ne”, kishte deklaruar Gjergj Dedaj më 22 shtator 1998, deklaratë që e kishte publikuar edhe Qendra Informative e Kosovës (QIK).

Dedaj, po ashtu, para trupit gjykues ka deklaruar se Hashim Thaçi e kishte shpëtuar nga forcat serbe në ditën e dytë.

“Të nesërmen e natës së dytë është dëgju një ofansivë e rreptë e forcave serbe t’u ardhë nga shkolla. Hashim Thaçin e kam takuar në oborr dhe ka thënë që duhet sa më shpejt me u largu nga këtu se forcat serbe e kanë sulmuar shkollën dhe në mbrëmje ajo shkollë është bombardu dhe mund ta vërtetoni se është bombardu nga forcat serbe. Se forcat serbe kanë dashtë nashta me na vra neve aty, me na zanë të gjallë e me na vra, edhe me gjuajtë ndonjë emblemë të UÇK-së, që me e fajësu UÇK-në, sikur i kanë vra njerëzit e vet në kafiterinë Panda që me e diskreditu e fajësu UÇK-në. Hashim Thaçi ka dashtë me na shpëtu, mos me na ndodhë më e keqja, sepse ka mundur me na ndodhë prej serbëve dhe me u akuzu UÇK-ja se i ka vrarë deputetët”, ka deklaruar sot ndër të tjerash, Gjergj Dedaj, para trupit gjykues.

Demokracia.com ka siguruar edhe një raportim të gazetës ”Bujku”, të datës 22 shtator 1998, që vërteton pretendimet e Gjergj Dedajt se fshatrat në zonën e Likocit dhe Qirezit ishin sulmuar nga forcat serbe.

“Luftime të ashpra në zonën e Likocit. Forcat policore-ushtarake në mëngjes bombarduan fshatrat e zonës së Likocit. Forcat e agresionit serb gjatë tërë ditës janë parë duke plaçkitur shtëpitë e banorëve të fshatit Makërmal, të cilët më pastaj i digjnin. Gjendja e të ndjekurve në fshatrat e Qirezit tejet alarmante”, thuhej në artikullin e Bujkut të datës 22 shtator 1998.

Gjergj Dedaj gjatë konferencës për media në 1998, pas kthimit në Prishtinë, kishte falënderuar UÇK-në se i kishte përcjellur dhe ishin kujdesur për ta.

Më 26 shtator 1998, Partia Liberale e Kosovës (PLK) e kishte lëshuar një komunikatë për media, ku aktin e ndalimit e kishte quajtur keqkuptim, pa primesa të ndonjë mosmarrëveshjeje në këto relacione. Po ashtu, PLK e kishte vlerësuar lart rolin e UÇK-së.

“Vetë aktin e ndalimit të delegacionit nga Prishtina nga pjesëtarë të UÇK-së, Kryesia e PLK-së para së gjithash e vlerësoi si një keqkuptim pa primesa të ndonjë mosmarrëveshjeje në këto relacione. Aq më parë kur dihet se PLK e ka çmuar dhe e vlerëson kontributin e organizimit të vetëmbrojtjes së popullit të Kosovës nga pushtuesit e instaluar serbë, në të cilin padyshim UÇK-ja po luan një rol tejet të rëndësishëm”, thuhej veç tjerash në komunikatën e PLK-së të publikuar në gazetën ”Bujku” dhe në QIK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta "Epoka e re" ka arritur ta identifikojë emrin e…