Dëshmia e britanikut John Duncan: Ushtarët e UÇK-së nuk e ndiqnin gjithmonë udhëheqësinë politike

22 shtator 2025 | 11:54

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte.

Në fund të viteve ‘90, Duncan ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999.

Në fillim të dëshmisë, mbrojtja e ka pyetur nëse ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë veprimtarisë së tij – në çka ai u përgjigj me “po”.

Ai ka thënë se UÇK-ja kishte përbërje heterogjene dhe se përbëhej nga njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme.

“Kur filloi të përshkallëzohej spastrimi etnik, përbërja e pjesëtarëve kryesorë ishte shumë e larmishme: kishte ish-ushtarë të Armatës jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, disa me familje të keqtrajtuara. Arsyeja që morën armët, ndryshonte nga personi në person”.

“Ne e quanim atë ‘ushtria e atyre që nuk kishin asgjë’. Aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta. Motivi i tyre nuk ishte i njëjtë”, ka thënë ai.

Për udhëheqësinë politike të UÇK-s, përfshirë Thaçin, Duncan ka thënë se, shpesh, nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja.

Ai ka thënë se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.

“Atje kishte disa forca politike si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë”, ka thënë Duncan.

Informacionet për Kosovën, Duncan ka thënë se i merrte nga burime të ndryshme.

“Së pari, lexoja të gjitha informacionet në internet për 24 orët e fundit lidhur me Kosovën. Më pas dëgjoja lajmet e fundit, BBC-në… shqyrtoja të gjitha kabllogramet diplomatike, shërbimet e monitorimit dhe më pas hyja në takime dhe informoja gjeneralin Clark. Po ashtu, bisedoja edhe me gazetarë dhe organizata joqeveritare për të marrë sa më shumë informacion”, ka thënë Duncan, teksa ka përshkruar siç është shprehur ai, një ditë të zakonshme pune të asaj kohe.

“Detyrat e mia kryesore ishin t’u jepja këshilla komandantëve ushtarakë lidhur me aspektet politike dhe diplomatike, por edhe t’i udhëzoja për mënyrën e reagimit dhe ndikimin e tyre në operacionet përkatëse”, ka thënë Duncan.

Ai kishte shërbyer edhe në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

“Ky ishte një shtet i mbyllur për 46 vjet, dhe unë isha vërtet i interesuar të kuptoja se si funksiononte shoqëria, sepse kjo ishte baza e detyrës sonë si diplomatë. Ne duhej t’u shpjegonim eprorëve tanë si funksionon shoqëria, çfarë ndodh brenda saj, si veprojnë pushtetet, çfarë mund të ndikosh tek ata dhe pse ndonjëherë mund të jenë të vështirë. Kjo është puna e një diplomati – t’ua shpjegojë të gjitha aspektet e një shoqërie eprorëve përkatës”, ka thënë Duncan.

Sipas kryesuesit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ose tri ditë.

Mbrojtja e Thaçit dhe e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte, ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vazhdim.

Dy dëshmitarë të tjerë do të paraqiten nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ende nuk ka thirrur dëshmitarë.

Dëshmia e mbrojtjes nisi javën e kaluar me ish-ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams.

Rubin, gjatë tri ditëve, foli kryesisht për rolin e Thaçit në luftë, për të cilin tha se ishte politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.

Rubin ka thënë se nuk ka asnjë informacion që e lidh Thaçin ose Krasniqin me pretendimet për vrasje.

Williams, gjatë dëshmisë së tij, tha gjithashtu se Thaçi përfaqësonte UÇK-në si negociator i besueshëm, por nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët rajonalë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot është shpërndarë numri i pestë i gazetës javore Koha…