Dëshmia e Clarkut dhe Hillit në Speciale, Reeker: Ishin thellë të përfshirë, do t’i mundësojnë mbrojtjes argumente të forta
Diplomati amerikan, Philip Reeker, në një intervistë të fundit ka folur edhe për procesin e gjykimit në Hagë dhe për dëshminë që kanë dhënë atje ish-gjenerali Wesley Clark dhe ish-ambasadori, Christopher Hill.
Reeker ka thënë se fakti që Clark dhe Hill kanë shkuar për të dëshmuar si dëshmitarë të mbrojtjes paraqet një hap shumë të rëndësishëm dhe sipas tij, dëshmitë e tyre do t’i mundësojnë mbrojtjes argumente të forta kundër akuzave që bëhen ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Ky është një proces ligjor që është në vazhdim. Unë besoj se dëshmia e tyre, duke pasur parasysh se ata ishin zyrtarë të lartë që ishin thellësisht të përfshirë në atë kohë në atë që po ndodhte midis Serbisë dhe Kosovës gjatë luftës, do të shihet si një hap i rëndësishëm. Fakti që ata u ftuan dhe pranuan të paraqiteshin si dëshmitarë të mbrojtjes, mendoj se do t’i mundësojë mbrojtjes të paraqesë argumente të forta në lidhje me akuzat në këtë rast”.
“Siç e kuptoj unë, aktakuza ka të bëjë me përgjegjësinë komanduese të Hashim Thaçit gjatë asaj periudhe, dhe besoj se si gjenerali Clark ashtu edhe ambasadori Hill do të kenë njohuri të thella mbi atë që po ndodhte në të vërtetë, mbi strukturën e UÇK-së në atë kohë, para, gjatë dhe pas negociatave të Rambujesë. Kjo është arsyeja pse mendoj se ata do të sjellin pikëpamje të forta, të bazuara në fakte, dhe mund të ndihmojnë procesin. Duke parë përpara, mendoj se është koha e duhur që procesi të ecë përpara. Këta individë janë të ndaluar, jetët e tyre janë pezulluar dhe janë shkatërruar. Familjet e tyre janë prekur gjithashtu nga një proces që ka vazhduar për kaq shumë kohë. Prandaj, shpresoj që gjërat do të përparojnë më shpejt”, ka thënë Reeker për “Kosovo Online”.



