
Dëshmia e James Rubin, sinjal për përgjegjësi e transparencë
Shkruan: Hisen Berisha
Dëshmia e James Rubin në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është një detaj dytësor në proceset gjyqësore për Kosovën, por një sinjal i qartë mbi mënyrën se si bashkësia ndërkombëtare e sheh raportin midis luftës për liri dhe standardeve të drejtësisë.
Rubin, si njëri ndër zërat e njohur të diplomacisë amerikane gjatë viteve të 90-të, përfaqëson kujtesë historike për rolin e SHBA-së në çlirimin e Kosovës, dhe dëshminë që lidh politikën ndërkombëtare me proceset aktuale gjyqësore.
Në këtë kuadër, vlen të theksohet se Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë nënvizoi disa të vërteta të pamohueshme se: akuzat ndaj UÇK-së ishin të fabrikuara nga rusët dhe të sponsorizuara nga serbët; nuk është gjetur asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së kanë dashur të ekzekutojnë njerëz; dhe se Hashim Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës.
Këto deklarata jo vetëm që rrëzojnë narrativat e shpifura kundër luftës çlirimtare, por i japin edhe një bazë më të fortë morale-politike mbrojtjes së saj në çdo instancë ndërkombëtare.
Ky akt ka dy mesazhe thelbësore:
1. Për drejtësinë, se çdo proces gjyqësor duhet të jetë transparent, me bazë në prova, dhe jo në narrativat e fabrikuara nga propaganda serbe.
Dëshmitë si ajo e Rubin shërbejnë për ta vendosur kontekstin e drejtë historik: se ndërhyrja e NATO-s dhe rezistenca e UÇK-së ishte përgjigje ndaj një regjimi gjenocidal.
2. Për politikën, se Kosova nuk duhet të lejojë të relativizohet lufta e saj çlirimtare.
Nëse në sallën e Hagës artikulohet e vërteta për spastrimin etnik dhe dhunën sistematike të Serbisë, atëherë detyra e institucioneve të Kosovës është që ta forcojnë këtë të vërtetë edhe në skenën ndërkombëtare, duke mos e lënë të deformohet nga propaganda.
Prandaj, dëshmia e Rubin nuk është thjesht pjesë e një dosjeje gjyqësore, është dëshmi politike e morale.
Është kujtesë se lufta e Kosovës nuk ka qenë konflikt i barabartë palësh, por luftë mes agresorit dhe viktimës. Dhe është obligim i klasës politike të Kosovës që këtë kapital të së vërtetës ta ruajë, ta mbrojë dhe ta shndërrojë në forcë diplomatike.