Dëshmia që zbuloi të vërtetën, projekti i Millosheviqit po rilind në Kosovë

13 nëntor 2025 | 13:11

Shkruan: Hisen Berisha

(Nga Bujani 1943, te Brukseli 2023, përkatësisht heshtja e Enverit atëbotë, te nënshkrimet e Kurtit sot, po rikthehet projekti i Millosheviqit për ndarja e re të Kosovës)
Burrështetasit janë lisa që nuk rrëzohen, sado që ngulfaten nga pacërkat që janë farë e keqe me rrënjë në plehun e kombit. Bëmë historinë për historinë.
Dëshmia e diplomatit të profilit të lartë amerikan në Dhomat e Specializuara në Hagë, i ftuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, konfirmoi dy të vërteta të mëdha.
E para: u konfirmua me dëshmi se “I vetmi person që ka ngritur shqetësime për përfshirjen në krime dhe ka folur keq për Hashim Thaçin ishte Slobodan Millosheviqi”, dëshmoi Christopher Hill.
Ku rreshtohen dhe ku takohen shqipfolësit e këtij soji – e sa ka të tillë?
E dyta: shqetësimi që kemi ngritur në vazhdimësi për “projektin e zhbërjes kushtetuese të shtetit të Kosovës”, sipas dëshmisë së bërë nga diplomati Hill, u konfirmua se ishte pjesë e përpjekjeve për marrëveshje të mundshme me “kasapin serb”, për stabilizimin e situatës në Ballkan apo për shmangien e konfliktit midis Serbisë dhe UÇK-së.
Diplomati Hill deklaroi: “Atëbotë, nuk kemi menduar që ta pavarësojmë Kosovën – kemi menduar t’i jepet një autonomi e theksuar, më e zgjeruar se ajo e vitit 1974, me institucione dhe një polici lokale për garantimin e zbatimit të ligjit…”.
Por, siç theksoi ai, “liderët politikë dhe ushtarakë të shqiptarëve, refuzuan përgjigjen “po” që ua kërkova – këmbëngulnin vetëm në pavarësi – asgjë më pak”.
Tani, duke ditur se Shtetet e Bashkuara kanë potencialin politik dhe ushtarak për ta detyruar Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta heqë atë nga Kushtetuta, lind një pyetje e domosdoshme:
Pse nuk ka ndodhur, dhe pse ende nuk po ndodh?!
Kjo, indikativisht, të çon te opsioni i Millosheviqit, si zgjidhje për Kosovën: “më shumë se autonomi, e më pak se pavarësi.”
Në të kaluarën, nuk ishin të huajt ata që e ndanë Kosovën nga Shqipëria – ishim vetë ne shqiptarët që e pranuam ndarjen tonë politike. Vendimet e Konferencës së Bujanit në dhjetor të vitit 1943, që afirmonin të drejtën për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar, u zhbënë me heshtjen e Enver Hoxhës atëbotë, dhe ndërhyrjen e komunistëve jugosllavë shqiptarë e serb, në Konferencën e Prizrenit. Ajo heshtje e vitit 1945 ishte akti i parë i dorëzimit të sovranitetit shqiptar në duart e interesave të huaja – ruso-serbe.
Sot, historia po përsëritet në mënyrë më të sofistikuar: ndarja e re po ndodh përmes detyrimeve që qeveria e Kosovës i kanë pranuar në Bruksel e në Ohër, nën kornizën e Planit Franko–Gjerman.
Edhe tani, heshtja e Edi Ramës përballë këtij sanksionimi të ri të ndarjes kombëtare është po aq domethënëse sa heshtja e Enverit atëherë, dhe ky paralelizëm historik na kujton se humbjet kombëtare nuk na janë imponuar, por shpesh i kemi pranuar vetë.
E njëjta frymë shfaqet edhe në fushatën dhe programin elektoral të zgjedhjeve të dyshimta të vitit 2021 – e cila vazhdon edhe sot, në politikat e Albin Kurtit dhe mentorëve të tij autonimistë e jugonostalgjikë, të cilët si ofertë politike promovuan idenë e “reformatimit të dialogut dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, një “alternativë ndryshe” për komunat me shumicë serbe, dhe “Republikën e Tretë” – formulë që në thelb si zgjidhje politikr mbetet brenda logjikës së Millosheviqit: “më shumë se autonomi, e më pak se pavarësi.” Por edhe idesë fillestare të përfaqësuar nga z. Hill dhe që pranohej nga autonomistët e Surroit në Rambuje e në teren artikulohej nga interpreti Kurti.
E tëra kjo, u lëxua mes rreshtash në dëshminë e Diplomatit Hill.
Nëse i referohemi marrëveshjeve ndërkombëtare të vitit 2023, të cilat Albin Kurti i ka nënshkruar si Kryeministër i Kosovës, atëherë çështja kalon në një dimension tjetër:
ku primatin politik duhet ta merr Ramush Haradinaj dhe ish ushtarakët e tjerë të luftës – sot në politikë – për ta mobilizuar spektrin politik dhe popullin e Kosovës në mbrojtje të shtetit të pavarur, si shprehje e vullnetit popullor.
Fitorja e drejtësisë dhe dalja në liri e lidershipit të luftës është imperativ imediat – në mënyrë që shteti i Kosovës të qëndrojë në këmbë.
Këtë pritet ta konfirmojë edhe dëshmia e radhës nga komandanti i NATO-s që bëri të mundur fitoren e UÇK-së ndaj Serbisë – Gjenerali Wesley Clark.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues të përfaqësuar…