Dëshmitarët rrëfejnë shtypjen vdekjeprurëse të protestave në Iran

13 janar 2026 | 07:43

Dëshmitarë okularë nga qytete të ndryshme të Iranit kanë përshkruar për BBC Persian një fushatë represioni jashtëzakonisht të dhunshme nga forcat e sigurisë ndaj protestuesve antiqeveritarë, duke pohuar se autoritetet kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi civilë të paarmatosur.

Një prej tyre, Omid, rreth të 40-ave, i cili proteston prej ditësh në një qytet të vogël në jug të Iranit kundër përkeqësimit të kushteve ekonomike, tha se kishte parë me sytë e tij forcat e sigurisë të hapnin zjarr mbi turmat e protestuesve me armë automatike të tipit kallashnikov.

“Qëlluan drejtpërdrejt në rreshtat e protestuesve dhe njerëzit binin aty ku ishin”, tregoi ai, duke kërkuar që emri i tij të ndryshohej për arsye sigurie.

Rrëfime të ngjashme kanë mbërritur në BBC Persian nga disa zona të vendit, pas protestave të përhapura që shpërthyen javën e kaluar. Situata është bërë edhe më e vështirë për t’u verifikuar për shkak të ndërprerjes së internetit nga autoritetet iraniane, ndërsa mediat ndërkombëtare nuk lejohen të raportojnë lirshëm brenda vendit.

Një nga protestat më të mëdha mbarëkombëtare u zhvillua të enjten, në natën e 12-të të demonstratave, pas thirrjeve të bëra nga Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, i cili jeton në mërgim. Të nesërmen, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei deklaroi se “Republika Islamike nuk do të tërhiqet”, paralajmërim pas të cilit, sipas dëshmitarëve, ndodhi gjakderdhja më e rëndë.

Një e re nga Teherani e përshkroi të enjten si “ditën e gjykimit”, duke thënë se edhe lagje të largëta të kryeqytetit ishin mbushur me protestues. “Por të premten, forcat e sigurisë vetëm vrisnin, vrisnin dhe vrisnin. Ishte një ditë e përgjakshme”, tha ajo, duke shtuar se frika ka bërë që shumë qytetarë tani të protestojnë duke brohoritur nga rrugicat ose nga shtëpitë e tyre.

Dëshmitarë nga Fardis, në perëndim të Teheranit, thanë se anëtarë të forcave paraushtarake Basij, nën komandën e Gardës Revolucionare, sulmuan protestuesit pas disa orësh mungese të policisë në rrugë. Sipas tyre, u përdor municion i vërtetë, ndërsa makina pa targa hynin në rrugica dhe qëllonin edhe ndaj banorëve që nuk ishin pjesë e protestave.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë raportuar shifra alarmante. Sipas Iran Human Rights, me seli në Norvegji, të paktën 648 protestues janë vrarë, përfshirë nëntë të mitur, megjithëse burime lokale flasin për shifra edhe më të larta. Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar statistika zyrtare dhe të verifikueshme.

Mjekë dhe infermierë që folën për BBC Persian thanë se spitalet në disa qytete janë mbingarkuar dhe se shumë trupa janë grumbulluar në morgje. Disa dëshmitarë pohuan se trupat nuk u janë dorëzuar familjeve dhe se autoritetet kanë kërkuar madje pagesë për plumbat e përdorur para se të lejonin varrimet.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu tronditjen për raportimet mbi përdorimin e forcës vdekjeprurëse kundër protestuesve, ndërsa raportuesja speciale e OKB-së për Iranin, Mai Sato, theksoi se përdorimi i armëve nga forcat e sigurisë ndaj civilëve është “thellësisht shqetësues”, pavarësisht numrit të saktë të viktimave.

Protestat, të cilat nisën për shkak të krizës ekonomike, janë shndërruar në një sfidë serioze për regjimin iranian, ndërsa represioni i dhunshëm ka nxitur reagime të forta ndërkombëtare dhe shqetësim në rritje për situatën e të drejtave të njeriut në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar se vendi…