Dëshmitari në Hagë pretendon se u torturua në Zllash

04 tetor 2021 | 21:45

Është mbajtur seanca e radhës për rastin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, në Gjykatën Speciale në Hagë. Aty sot ka dëshmuar dëshmitari i tretë për këtë rast.

Sipas rrëfimit të tij, dëshmitari ka thënë se bashkë me disa persona të tjerë kishte shkuar në Zllash për t’u bërë pjesë e UCK-së, por pas disa ditësh stërvitjeje aty kanë ardhur disa pjesëtarë që sipas tij ishin të një njësiti special të njohur si “Skifterat”, e që në uniformat e tyre të zeza kishin pasur mbishkrimin “BIA”, dhe e kanë marrë atë për ta dërguar tek Mustafa.

Gjithmonë sipas dëshmitarit, Mustafa nuk i kishte besuar për qëllimin e tij, andaj sipas rrëfimit, Mustafa e kishte rrahur dhe dhënë urdhër që të njëjtën ta bëjnë edhe ushtarët tjerë aty.

Për 17 net, ky dëshmon se ishte mbajtur në një stallë lopësh, ku thotë se bashkë me disa persona të tjerë ka përjetuar tortura të ndryshme, me rrymë, qirinj e me shufra metalike. Dëshmitari shtoi se fillimisht nuk e kishte ditur se bëhet fjalë për komandantin që njihet me nofkën “Cali”, por që këtë e kishte kuptuar më pas.

Por sipas prokurores, ndryshe kishte deklaruar në vitin 2019-të, kur kishte thënë se Mustafa i është prezantuar, gjë të cilën dëshmitari e arsyetoi me disa moskuptime që thotë t’i ketë pasur.

Për kohën sa qëndroi në atë stallë, ai thotë se nuk e ushqyen, ndërkaq kur kërkonin ujë i urinonin. Nga këto përjetime, dëshmitari rrëfen se i kanë mbetur ende disa pasoja, siç është humbja e shikimit në anën e majtë.

Përveç Calit, dëshmitari përmend edhe disa emra e nofka të tjera që thotë se e keqtrajtuan.

Ky ishte dëshmitari i tretë në rastin e Mustafës, teksa seanca tjetër do të jetë të martën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se…