
Dëshmitari Williams: Nuk më kujtohet të kem takuar Kadri Veselin në Rambuje
Në vazhdimin e seancës gjyqësore në Hagë, dëshmitari Paul Williams ka deklaruar se nuk i kujtohet të ketë takuar ndonjëherë të akuzuarin Kadri Veseli gjatë bisedimeve të Rambujesë.
“Nuk më kujtohet ta kem takuar atë brenda apo jashtë kështjellës”, tha Williams, duke sqaruar se i referohej si punimeve të delegacionit, ashtu edhe aktiviteteve jashtë tyre.
Gjatë seancës u përmend edhe një deklaratë e Mark Weller, i cili kishte qenë këshilltar ligjor në delegacionin kosovar. Sipas Weller, pjesë e delegacionit ishin edhe dy persona të cilësuar si të pavarur – Veton Surroi dhe Blerim Shala.
Ai kishte theksuar se delegacioni udhëhiqej nga Hashim Thaçi, të cilin e kishte përshkruar si një 29-vjeçar inteligjent.
“Thaçi shikohej nga Qeveria e Beogradit me urrejtje të veçantë”, kishte thënë Weller, duke shtuar se gjatë muajve të ballafaqimeve ushtarake, Thaçi kishte marrë nofkën “Gjarpri”.
“Ai tregonte efikasitet të lartë në konsolidimin e pikëpamjeve që më parë ishin të ndryshme brenda UÇK-së”, kishte deklaruar Weller.
Prokuroria kërkoi që deklarata e Weller të pranohej si provë materiale, duke e cilësuar të rëndësishme për vlerësimin e besueshmërisë së dëshmitarëve dhe akuzave ndaj të akuzuarve.
“Ky dokument është i rëndësishëm, pasi Weller ishte këshilltar ligjor i delegacionit kosovar dhe njohuritë e tij janë relevante për provat e Prokurorisë”, tha prokurori.
Megjithatë, mbrojtja kundërshtoi duke theksuar se dëshmitari aktual, Williams, nuk kishte konfirmuar asnjë nga këto pretendime.
Pas debatit mes palëve, trupi gjykues refuzoi kërkesën e Prokurorisë për pranimin e dokumentit në cilësinë e provës materiale.