Deshmori Muhamet Dervishi
Dëshmorit Muhamet Dervishi në ditëlindjen e tij, 27.11. 1967
Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci
Është thënë e thuhet herë pas here se liria ka emër. Kjo është një e vërtetë e madhe. Në emrin e saj të pavdekshëm janë edhe shkronja e emrit të Muhamet Dervishit.
Ky përvjetor i rënies së Muhamet Dervishit me 14 dhjetor të vitit 1998 shënohet këtë herë edhe në Stuttgart. Muhameti në çastin e rënies ishte 31 vjeç, kurse sot do të bëhej 58 vjeç, por dëshmorët e kombit mbeten gjithmonë të rinj. Ashtu edhe Muhameti iku nga plumbi i armikut në moshën e rinisë dhe ne nuk mund ta kujtojmë ndryshe veçse në moshën e tij që pati në momentin kur ra dëshmor. Në momentin e fundit kur u nda nga Zelfie Lladrovci gruaja e dajes se tij për të marr rrugën për Shqipëri, pati thënë se nëse në luftë vritem si daja Fehmi Lladrovci, mos më qani. Dhe vërtet ashtu vdiç, duke luftuar me ushtarët serbë. Përkujtimi sot është jo për ta qarë, por për ta kujtuar. Duke e kujtuar atë, kujtojmë Komandat Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarët e shumë dëshmorë të tjerë që u vranë a ndiçen nga plagët që morën në rrethana të ngjashme.
Në kushtet kur në Kosovë s‘kishte as luftë dhe as paqe, shumë shqiptarë e lëshuan vendin. Masa e madhe e njerëzve iu drejtuan vendeve perëndimore ku kishte punë dhe qetësi. Këto vende i pritën mirë emigrantët, të cilëve iu siguruan punë dhe banim. Ndër këto shtete u dalluan sidomos Gjermania dhe vendet nordike, drejt të cilave vërshoi lumi i njerëzve. Muhamet Dervishi arriti në Gjermani dhe u vendos në fshatin Zahilingen (Sachilingen) në rrethin e qytetit gjerman Trir (Trier). Ky qytet ruante ende objekte të kohës së perandorit romak Konstanc ( Constanc), babait të Konstandinit të Madh dardan, por këto të dhëna historike s‘e ngushëllonin aspak Muhametin e ikur nga vendlindja e tij e shtypur. Ndoshta në të kaluarën e largët një dardan mund edhe të arrinte deri te posti i perandorit, por tani ishte krejt ndryshe, një kosovar i sotëm, respektivisht një dardan i dikurshëm duhej të ikte nga vendi i tij për të mbijetuar njëfarësoj. Ky ishte realiteti i Kosovës nën sundimin serb. Muhameti, i ndërgjegjshëm për momentin e rëndë historik, punonte me të gjitha forcat e tij për të siguruar sa më shumë të ardhura për familjen e tij. Sidomos vuante shumë për nënën e tij. Kadri Lushtaku e kishte një lidhje familjare me të, kështu që nga fillimi i arritjes së Muhamet Aziz Dervishit në Gjermani në vitin 1992 e derisa ai do të kthehej në vendlindje, kishin jetuar së bashku në të njejtin vendbanim, madje kishin banuar në të njëjtën ndërtesë, një kohë edhe në një banesë. Mirëpo pas mbërritjes së shoqes së Kadri Lushtakut, pra pas disa muajve, ndahen në banesa të ndryshme. Megjithatë ata janë pothuajse gjithmonë bashkë kur janë vaktet e ushqimit. Me Muhamtin, kujton Kadriu, kemi qenë në shumë tubime informative për luftën e UÇK-së që organizoheshin nga shoqata e klube të mërgimtarëve në qytetet përreth dhe me larg si në Trir (Trier), Koblenc (Koblenz), Bon (Bonn) e deri në Këln (Këln).
Muhameti jetoi e punoi në Gjermani 6 vjet. Në këtë vend ai tërthorazi mësoi shumë gjëra për shoqërinë kosovare dhe nevojën e pashmangshme të luftës çlirimtare. Siç tregon Kadri Lushtaku, ai gjithmonë ishte i interesuar për luftën e popullit tonë, e dinte që lufta është një e keqe e madhe, por një keqe që nuk shmangej dot. Ai i njihte shumë mirë vështirësitë e ushtrisë sonë, mirëpo përsëri thoshte se vendi i tij ishte atje, në radhët e saj. Idealizmi i tij nuk e lejonte që të jetonte në këtë kohë jashtë radhëve të një ushtrie që kishte rrokur armët për ta çliruar Kosovën nga sundimi serb. Kjo luftë kishte qenë ëndërr e brezave të tërë, e paraardhësve të tij, ndaj dhe në këtë moment vendimtar Muhamet Aziz Dervishi nuk mund të vazhdonte jetën në Drenicë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Paraardhësit e tij jo vetëm kishin luftuar me Shaban Polluzhën, por e kishin provuar si të burgosur politikë edhe Golli Otokun (Goli Otok). Ai, edhe më herët, kur demonstrohej për të drejtat e shqiptarëve, kishte qenë shumë aktiv. Mua personalisht më kujtohet nga demonstrata e fundit në Drenas dhe takimi me të në një rrugë të periferisë së qytetit kur ai, duke mos e ditur se unë, Shemsije Istogu dhe Ramiz Lladrovci ishim në përcjellje të policisë, e cila po përpiqej të na arrestonte, u drejtua nga ne me përshëndetjen dhe stilin e tij hokatar, duke na qortuar se nuk ishim dukur në Drenas prej kohësh. Me 22 shkurt 1990 dialogu im me të ishte i shkurtër dhe i përcaktuar nga situata e nderë, kështu që më në fund e kuptoi edhe ai që duhej të largohej sa më parë nga vendi. Ne nuk donim që ai të involvohej në ndeshjen me policinë. Ne ishim të përgatitur të rezistonim me armët që kishim.
Muhamet Dervishi, sapo u kthye në Kosovë në maj të vitit 1998, vit ky kur në Kosovë lufta guerile ishte kthyer në luftë të hapur kundër Serbisë, ai u rreshtua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria jonë që po lindte, nuk kishte armë të mjaftueshme. Formacionet e saj luftarake vuanin nga mungesa e armëve më të thjeshta. Armë të sofisikuara ajo kurrë nuk pati, deri në fund. Ndeshja me ushtrinë serbe, në çdo fazë të luftës, ishte një ndeshje mes njerëzve me moral të lartë, por me armatim tepër primitiv. Kushdo që flet për luftën e UÇK-së gjithmonë duhet ta ketë para sysh këtë fakt themelor: ushtarët e UÇK-së kishin një armatim të tillë që nuk mund të bënin një luftë të barabartë në fushën e betejës.
Në jetën e tij në radhët e UÇK-së, Muhamet Dervishi mori pjesë në dy beteja të rëndësishme. Beteja e tij e parë ishte ajo e Llapushnikut. Si ushtar që kishte një pushkë të vjetër nga koha e pushtimit italian të Kosovës, ai shkoi vullnetarisht për të luftuar në Llapushnik kundër serbëve. Në këtë luftë ai u tregua ushtar i guximshëm dhe i motivuar për luftë.
Me 22 shtator 1998 për të ishte një ditë e madhe lufte. Një natë më parë, siç dëshmon Muharrem Lladrovci, që ia siguroi pushkën, Muhameti kishte qenë në roje dhe kishte vënë re një numër të madh ushtarësh serbë te Ferronikeli, kështu e dinte se po përgatitej diçka, e parandjeftë sulmin serb. Atë verë Serbia kishte organizuar një ofensivë të madhe në mbarë Kosovën kundër UÇK-së, për ta bindur Perëndimin se ky formacion ushtarak do të shkatërrohej lehtësisht nga ushtria e saj dhe do të zhdukej nga faqja e dheut. UÇK-ja mori një goditje të fortë, u vranë njerëz, që sipas vlerësimit serb, përbënin shtyllën e saj kurrizore, por s‘u dorëzua, u ringjallë si feniksi nga hiri i saj. Në betejën e Gradinës, Muhamet Dervishi luftoi me guxim të madh. Këtë gjë e thonë ata që e panë në front. Atë ditë ai përjetoi gjënë më të vështirë për një ushtar: vrasjen e komandantit të Brigadës 114, vrasjen e Fehmi e Xheve Lladrovcit si dhe të Fatime Hetemit dhe Shefqen Zekës e Hamit Lladrovcit. Vrasja e komandantit zakonisht ndikon shumë negativisht në moralin e ushtarëve. Nuk ndodhi kështu me Muhamet Dervishin dhe as me ushtarët e tjerë të kësaj brigade. Ata u mobilizuan edhe më shumë për luftë. Ata tashmë kishin edhe një testament për të përmbushur, testamentin e komandantit, i cili në çastet e fundit të jetës kërkoi nga zëvendësi i tij ta vazhdonte luftėn. Muhameti s’kishte asnjë post komandues, ishte thjesht një ushtar që luftonte me zemër, por në ato çaste të rënda shembull i tij i luftëtarit të guximshëm u dha zemër të tjerëve në llogore. Muhameti s’kishte fare frikë nga ushtarët serbë që ia kishin mësyrë pozicioneve shqiptare me arsenal modern ushtarak. Muhametit nuk i bënin fare përshtypje armët dhe teknika moderne e luftës e armiqve. Nuk kishte asgjë befasuese në sulmin e tyre. E kishte ditur që ata i kishin të gjitha armët për luftë, por s‘kishin zemër dhe shpirt për t‘u ndeshur me shqiptarët. Muhamet Dervishi vazhdimisht u bënte thirrje ushtarëve të tjerë që ta vazhdonin luftën e komandantit të vrarë.
Me 6 nëntor 1998, pra pas një muaj e gjysmë pas betejës së madhe të Shkabës (Gllanasellës) te Gradina dhe Shavarina, me vendimin e Shtabit Zonal, Muhamet Dervishi u nis me një grup luftëtarësh për në Shqipëri, pėr t‘u furnizuar me armë. Po nisej për të siguruar më shumë armë, por nuk e dinte sesi do ta gjente vendlindjen e tij. Atëbotë s’e dinte se vetë ai do të mungonte në vijën e frontit, se nuk do të kthehej kurrë më. I gjallë, ai kurrë nuk do tė qëndronte më larg frontit. Ishte betuar se do të luftonte deri në fund. E dinte se ende kishte luftëtarë që nuk kishin pushkë të mira për luftë. Pas një udhëtimi të gjatë e të mundimshëm grupi ku bënte pjesë edhe Muhamet Dervishi mbërriti në Shqipëri, në fshatrat, së pari, në Cahan e, pastaj, në Vlanë. Atje armët i siguronte logjistika e UÇK-së, pas disa ditësh Muhameti në fund të nëntorit niset drejt kufirit me një grup ushtarësh me armët dhe municionin që kishte siguruar. Ishte një kohë e vështirë dimri, bora kishte mbuluar shtigjet. Në këtë zonë me lartësi të madhe mbidetare në këtë kohë kishte vazhdimisht shumë borë dhe mot të ligë. Pas një udhe të gjatë, grupi arriti stanet, por moti i ligë me erë dhe shumë borë e acar bëri që një pjesë e ushtarëve të nisur për në Kosovë, të ktheheshin. Disa prej tyre ishin ngrirë nga acari dhe kishin nevojë për ndihmë mjekësore. Muhameti kishte shëndet të mirë dhe i ndihmoi ata që kishin nevojë. Armët dhe çantat me municion i la te stanet. Kishte shpresë se kur të kthehej pas një kohe, kur moti do të përmirësohej dhe të mos kishte kaq shumë borë dhe acar, do t‘i gjente aty. Kaluan disa ditë dhe moti disi u ndreq, Muhameti me disa luftëtarë ia mësyu përsëri të njëjtës rrugë. Udhën e bën mirë, por armët dhe çantat me municion te stanet s‘i gjeti. Disa bashkëluftëtar të tij i thanë që vazhdonte udhën me ta drejt Drenicës se do t‘ia gjenin një pushkë dhe ia gjetën, por Muhameti kishte vendosur të kthehej në Kosovë vetëm kur t‘i siguronte edhe disa pushkë të tjera, pos të vetes. Luftëtarët, Xhemail Muja, Mehemt Lladrovci, Haxhi Lladrovci, Lumni Berisha, Milaim Berisha dhe disa te tjerë e kujtojnë qartë këtë moment, sikur ta dinin se nuk do ta shihnin më kurrë të gjallë. Mehmet Lladrovci „e ktheva kryet dhe e pashë se e përcillte kolonën tonë me luhatjen e dorës si përshëndetje. Kështu më ka mbetur në mendje çasti i tij i fundit në jetë!“.
Një ushtar tjetër, Mehmet Isuf Fazliu, gjithashtu nga Dodona (Gradica), e kujton momentin e rënies së Muhamet Dervishit. Ai thotë se derisa po ktheheshim në Kosovë me 14 dhjetor 1998, te një lis ai e mbante frontin dhe bërtiste me zërin e tij të fuqishëm që të kalonim, unë tashmë isha i plagosur dhe nuk mund të luftoja. Në këto momente ai u rrëzua nga një plumb i armikut, në kohën kur ai kishte armët që i kishte dëshiruar, por armiqtë përballë donin t‘na e ndërpresin udhën. Në këtë kufi ai ra përgjithmonë. U vranë shumë ushtarë. Thuhet se ishte humbja më e madhe e UÇK-së, pas vrasjes së familjes Jashari. Atë natë dhjetori u vranë shumë djem të rinj që luftonin për çlirimin e Kosovës. Kjo vrasje ishte planifikuar nga ushtarakët serbë, për t’i bërë shqiptarët të hiqnin dorë nga lufta e tyre çlirimtare. Në media është shkruar se kjo vrasje masive kishte të bënte me një tradhti, gjë që në kohëra të tilla kurrë s‘mungojnë.
Në atë natë të ftohtë dhjetori bora e bardhë u skuq nga gjaku I Komandant Mujë Krasniqi dhe 40 luftëtarëve që lirinë kombëtare të shqiptarëve e donin më shumë se jetën e tyre. Në mesin e të rënëve ishte edhe Muhamet Dervishi. Është thënë e thuhet herë pas here se liria ka emër. Kjo është një e vërtetë e madhe. Në emrin e saj të pavdekshëm janë edhe shkronja e emrit të Muhamet Dervishit



