
Dështon mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës ku pritej të votohej buxheti
Në mungesë kuroumi, ka dështuar mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës për votimin e buxhetit për vitin 2026, raporton Ekonomia Online. Kryetari i Kuvendit, Fehmi Kupina, tha se mbledhja është thirrur me kërkesë të kryetarit Përparim Rama dhe se janë dërguar gjitha materialet në kohë. “Konstatoj se s’kemi kuorum për mbajtje të mbledhjes. Ju falënderoj dhe konstatoj këtë seancë të mbyllur”, tha Kupina.
Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kritikoi opozitën për sabotimin e procesece demokratike. Ai foti qytetarët që “për këtë arsye të reflektojnë, që më 12 tetor t’ia tregojnë vendin secilit asamblist që e ka bllokuar transformimin e kryeqytetit”.
“Faleminderit të gjithë atyre që janë prezentë në këtë seancë të jashtëzakonshme që kemi ftuar me miratuar buxhetin për vitin 2026. Falënderoj nga zemra të gjithë që jeni prezentë. Po e shihni se opozita në mënyrë destruktive vazhdon me i sabotuar proceset e zhvillimit të kryeqytetit. Vazhdon me qenë bllokuese”.
“Për këtë arsye ftojë qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë, që më 12 tetor t’ia tregojnë vendin secilit asamblist që e ka bllokuar, sabotuar dhe vazhdon të sabotojë këtë proces demokratik, të zhvillimit dhe transformimit të kryeqytetit. Më 12 tetor uroj të kemi shumicë me të cilën vazhdojmë me transformimin e mirëfilltë të kryeqytetit ashtu siç kemi bërë këto 4 vjet. Faleminderit për prezencën, ju uroj ditë të mirë sot dhe fitore më 12 tetor”, tha Rama.