Dështon nisja e gjykimit për rezervat shtetërore
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar që të mbahet seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, ku në cilësinë e të akuzuarës është edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Nisja e procesit gjyqësor dështoi për shkak se Hajdari dhe avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica nuk ishin të pranishëm, raporton Betimi për Drejtësi.
Tani, shqyrtimi fillestar është caktuar që të mbahet më 13 janar 2026.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, tha se Hajdarit i është dërguar ftesa për pjesëmarrje përmes postës, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt. Në seancë ishte i pranishëm ishte avokati i saj, Florent Latifaj.
I pranishëm ishte edhe Lipovica, kurse mungoi avokati i tij Feim Alaj. Avokati e dërgoi një përfaqësuese ligjore nga zyra e tij dhe ka njoftuar Gjykatën përmes e-mailit se nuk mund të ishte i pranishëm pasi paraprakisht kishte marrë ftesë nga Gjykata Themelore në Pejë.
Kreu i trupit gjykues tha se Themelorja përmes një e-maili i ka kërkuar Alajt që të gjejë zëvendësim, por ai ishte përgjigjur se kishte tentuar që të gjendte një avokat zëvendësues, mirëpo nuk e ka marrë pëlqimin e të mbrojturit të tij.
Të pranishëm në seancën e sotme që dështoi të zhvillohej ishte edhe i pandehuri tjetër Hafiz Gara me avokatin Nazim Mehmeti dhe i akuzuari Ridvan Muharremi me avokatin Mahmut Halimi.
Aktakuza për rezervat shtetërore
Aktakuza ndaj Hajdarit u ngrit më 11 nëntor nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, sipas Prokurorisë, dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Aktakuza pretendon se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të të akuzuarve.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen po ashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetërore.
Rezervat shtetërore
Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 2023 u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Atëbotë, Hajdari deklaroi se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.
Për rastin e rezervave shtetërore, Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”. Rel



