Dështuan në Stamboll, Rusia memorandum me dy opsione për Ukrainën mbi armëpushimin

02 qershor 2025 | 23:10

Negociatorët rusë i kanë dhënë Ukrainës dy mundësi për një armëpushim. Agjencia e lajmeve RIA raportoi të hënën pasdite se opsioni i parë i paraqitur nga rusët kërkon që Ukraina të fillojë një tërheqje të plotë të të gjitha forcave të saj nga katër zona që Moska i ka pretenduar si territor të sajin.

Këto janë rajonet e kontrolluara nga Rusia të Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhias.

Moska dëshiron “tërheqjen e plotë” të ushtrisë ukrainase nga rajonet pjesërisht të pushtuara përpara se të zbatohet një armëpushim 30-ditor.

Memorandumi, i cili përshkruan kërkesat e Rusisë për t’i dhënë fund luftës, bën thirrje për “njohje ligjore ndërkombëtare” të katër rajoneve, si dhe të Krimesë së aneksuar në 2014, si territor rus.

Gjithashtu, aty bëhet thirrje për heqjen e sanksioneve ekonomike dhe që Ukraina të heqë dorë nga pretendimet e saj për dëmshpërblime lufte.

Opsioni i dytë do të ishte një marrëveshje “paketë” që përmban një sërë kushtesh.

Agjencia ruse e lajmeve TASS raporton, nga ana e saj, se tërheqja e plotë e forcave të armatosura ukrainase nga territoret e kontrolluara nga Rusia duhet të ndodhë brenda 30 ditëve nga armëpushimi.

Memorandumi rus kërkon gjithashtu njohjen ndërkombëtare të Krimesë, Donbasit dhe Novorossijës si pjesë të Rusisë, raporton TASS.

Ukraina duhet të deklarojë “neutralitet”, të braktisë ambiciet për t’u bashkuar me aleanca ushtarake dhe të ndalojë aktivitetet ushtarake të vendeve të treta në territorin e saj. Madhësia e ushtrisë së saj duhet gjithashtu të kufizohet, vendosja e armëve bërthamore në vend duhet të ndalohet dhe “njësitë nacionaliste ukrainase” brenda forcave të armatosura duhet të shpërbëhen.

Dokumenti trefaqësh bën thirrje gjithashtu për t’i dhënë fund dërgesave të armëve perëndimore në Kiev.

Ukrainës i kërkohet gjithashtu të lirojë të burgosurit politikë, ushtarët dhe civilët, dhe të zotohet të respektojë “të drejtat, liritë dhe interesat e rusishtfolësve” në territorin e saj.

Së fundmi, për të zgjidhur krizën ukrainase, propozohet që të mbahen zgjedhje në Ukrainë dhe më pas të nënshkruhet një traktat paqeje. Këto kërkesa duhe theksuar se janë bërë në të kaluarën dhe janë refuzuar vazhdimisht nga Ukraina.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bill Gates është zotuar se pjesa më e madhe e…