Detaje nga incidenti me të shtëna me armë në lokalin “Tullari” në Prishtinë, këta janë pesë të arrestuarit

14 dhjetor 2025 | 21:06

Një incident i rëndë me të shtëna me armë zjarri ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë, ku Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës.

Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, sot rreth orës 04:15, Policia ka pranuar njoftim për të shtëna me armë zjarri në lokalin “Tullari”, në magjistralen Prishtinë–Gjilan, përkatësisht në rrugën “Gjilani”.

Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes kanë hasur disa persona, ndër ta edhe të dyshuarit Arber Zeqiri, Kushtrim Selmani, Sead Jahiri dhe Lulzim Bajraktari.

Fillimisht, Arber Zeqiri dhe Kushtrim Selmanijanë intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo pas zhvillimeve të mëtejme, atyre u është ndryshuar cilësia në të dyshuar.

Pas shikimit të incizimeve të kamerave të sigurisë, Policia ka identifikuar edhe të dyshuarin tjetër, Alfred Sinani, i cili në pamje vërehet duke hyrë në lokal me armë të gjatë AK-47, duke shtënë me armë në drejtim të dyshemesë dhe më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes me automjet.

Sipas pamjeve të siguruara, në një moment tjetër vërehet se pas të shtënave nga Alfred Sinani, të dyshuarit e tjerë që ndodheshin të ulur në një tavolinë ngrihen në këmbë, ndërsa Sead Jahiri nxjerr armën nga brezi dhe shtie me armë në drejtim të derës së hyrjes, pasi Sinani largohet nga lokali. Po ashtu, vërehet edhe momenti kur Lulzim Bajraktari nxjerr armën nga brezi dhe e mban në dorë, pa u vërejtur se ka shtënë.

Pas daljes nga lokali, në incizime shihet se Kushtrim Selmani armën e përdorur nga Sead Jahiri e fsheh në parkingun e lokalit, nën paleta. Arma është gjetur dhe konfiskuar nga Forenzika e Hetimeve Rajonale.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e Hetimeve Rajonale dhe Forenzika, të cilat kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes. Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të dërgohen në ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjenerali Hisen Berisha, kandidat për deputet i PDK-së me numër…