Dhënia e pronave për 99 vjet, Hajdari: Nuk shitet toka e fëmijëve të Drenasit

26 shkurt 2026 | 19:59

Petrit Hajdari ka reaguar ndaj vendimit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave publike të Komunës së Drenas, duke e cilësuar atë si pazar me tokën e qytetarëve.

Ai ka theksuar se pronat publike nuk duhet të përdoren për interesa politike apo për favore të ngushta, por duhet të ruhen për interesin e përgjithshëm dhe brezat e ardhshëm.

Sipas tij, dhënia e pronave deri në 99 vite, pa një plan të qartë zhvillimor dhe pa garantuar funksione publike strategjike, rrezikon të dëmtojë strukturën urbane të qytetit.

Postimi i plotë:

NUK SHITET TOKA E FËMIJËVE TË DRENASIT

Ajo që qytetarët kanë dëgjuar në audio-incizimet e famshme u konfirmua. Pronat publike, ato për të cilat cilido kryetar i komunës ka obligim ligjor, detyrë morale e besim qytetar për t’i mbrojtur, kryetari i Drenasit i ka vënë në pazar, si gjithcka tjetër në mandatin e tij.

E kemi theksuar gjithmonë, para, gjatë e pas fushatës elektorale, që nuk mund dhe nuk duhet të bëhet pazar me pronat publike. Një muaj pas dështimit, është kthyer në të njëjtën pikë duke i përdorur disa asamblistë për të larë borxhe politike.

I falenderoj të gjithë ata asamblistë që përkundër presioneve, i qëndruan besnikë parimit që prona publike është aty për interes qytetar, ajo i shërben brezave të ardhshëm e jo pazarit të ardhshëm.

Ata që zgjodhën pazarin, vepruan kundër interesit publik dhe si të tillë do të kujtohen. Dita ditës qytetarët po e kuptojnë që njeriu që drejton komunën tonë është jo vetëm pazargji, por i kapur e i ngulfatur nga pazaret, prandaj kërkon ta kapë e ngulfatë edhe qytetin.

Por zhvillimi nuk mund të ndërtohet mbi pazare të errëta, nuk mund të vendoset prapa dyerve të mbyllura dhe nuk guxon të shndërrohet në përfitim të një pakice të lidhur me pushtetin, duke sakrifikuar interesin e qytetarëve dhe të ardhmen e qytetit.

Zhvillimi urban është proces strategjik që nuk mund të komprometohet. Ai duhet të udhëhiqet nga planifikim i qëndrueshëm, menaxhim racional i tokës dhe mbrojtje e interesit publik. Miratimin paraprak i vendimit për dhënien e pronave të paluajtshme të Komunës së Drenasit në shfrytëzim afatgjatë personave fizik-juridik (deri 99 vite) në zonat urbane, pa vizion të integruar zhvillimor dhe pa përcaktim të qartë të funksioneve publike strategjike, përbën ndërhyrje me pasoja afatgjata në strukturën urbane të qytetit.

Reduktimi i pronës publike në favor të zhvillimeve kryesisht afariste dhe banesore rrezikon mungesën e hapësirave për infrastrukturë publike, objekte institucionale. Planifikimi urban nuk është konsum i territorit, por instrument profesional për garantimin e zhvillimit të balancuar, funksional dhe të qëndrueshëm për qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme.

Interesi publik ka përparësi mbi pushtetin personal.

Petrit E. Hajdari

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë së enjtes, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve…