Dhimbjen e 25 vjetëve më parë e kthejnë në gëzim: Ish-të burgosurve Lima e Xhyliqi u diplomojnë djemtë në AUK

23 maj 2024 | 15:27

25 vjet më parë Demir Lima dhe Ali Xhyliqi kanë qenë në burgun e Dubravës, së bashkë më mbi 900 të burgosur tjerë. Demiri dhe Aliu çdo përvjetor marrin pjesë në homazhe dhe nderim për shokët e vrarë nga data 19-24 maj 1999 në burgun e Dubravës. Mirëpo këtë përvjetor të 25-të ata kishin një angazhim tjetër. Që të dyve u diplomonin djemtë e tyre në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosova), Donarti Lima e Premton Xhyliqi.

Pra pikërisht më 22 maj 2024, një ceremoni madhështore të paharruar në Klan Arena të organizuar nga Universiteti Amerikan në Kosovë (RIT Kosova), diplomuan djemtë e ish pjesëtarëve të UÇK, ish të burgosurve Demir Lima  e Ali Xhyliqi, Donarti Lima e Premton Xhyliqi.

I mbijeturi i masakrës së Dubravës, Ali Xhyliqi i pyetur nga “Epoka e re”, se si e ndien veten në këtë datë e cila është ditë dhimbjeje por dhe gëzimi, ai përgjigjet: “Mu në datën 22 maj kur ne e kujtojmë për të 25-tin vit me radhë, Masakrën e tmerrshme në burgun e  Dubravës, në këtë datë kujtojmë shumë shokë që nuk arritën t’i mbijetojnë kësaj tragjedie. Është ditë kur secili nga ne shprehim falënderim dhe mirënjohje për të gjithë burrat dhe gratë që dhanë çdo gjë që patën, dhanë jetën për mirëqenien e të tjerëve, sakrificë e pa menduar në shpërblim. Mirënjohje dhe përulje deri në pafundësi.

Kjo ditë sa na kthen kujtime aq edhe na bën krenarë dhe mirënjohës përjetësisht që arritëm të gëzojmë jetën dhe të shijojmë frytet e sakrificës që përjetuam në atë periudhë. Atdhe-dashuria tregohet dhe rritet çdo ditë, dhe ky vend po bëhet me pasardhësit tanë të cilëve ua bartëm dashurinë për vendin, pa harruar historinë. Sot me shumë se kurrë jemi krenarë për vlerat sublime të UÇK-së dhe emocionet janë nga më të ndryshmet, pikërisht në këtë datë të shënuar, ku rastisi që brezat tanë po diplomohen, po ecin rrugët e jetës duke bërë zgjedhje të lira për atë që duan në jetë. Jemi të lumtur që djemtë tanë Premtoni dhe Donarti zgjodhën që rrugët e dijes t’i shpalosin në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosova) dhe sot me sukses po mbyllin një kapitull të dijes për të vazhduar shtigjeve të jetës më tutje. Ju priftë e mbara!”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke vazhduar diskutimet nga takimi paraprak me ambasadorin e Austrisë…